
Vehap KOLA
“Është vërejtur shpeshherë se terrori mund të sundojë në mënyrë absoulute vetëm mbi njerëz të izoluar nga njëri-tjetri, prandaj një prej shqetësimeve kryesore të qeverisë tiranike është ta bëjë izolimin realitet. Izolimi mund të jetë fillimi i terrorit: ai është trualli më i plleshëm i për të dhe gjithmonë rezultat i tij. Izolimi është, si të thuash, paratotalitarizëm. Shenja dalluese e tij është pafuqia, duke qenë se fuqia vjen nga veprimi i bashkuar i njerëzve, njerëzit e izoluar janë të pafuqishëm me përkufizim.”Ky pasazh shterrues nga libri “Origjinat e Totalitarizmi” i intelektuales së madhe të shekullit të njëzetë, Hannah Arendt, sikur ka përmbledhur njëkohësisht të gjitha tiparet e mënyrës si përjetohej totalitarizmi në Shqipërinë komuniste. Por, megjithë liritë e fituara dhe të konsoliduara pas rrëzimit të regjimit diktatorial, shqiptarët e kanë provuar për 20 vite rresht se sa abstrakte është një liri e që nuk përfshin mundësinë për të lëvizur.
I kthyer përmbys, përkufizimi i Hannah Arendt mund të na përshkruajë pikërisht atë që fituam me liberalizimin e vizave me vendet e BE-së, 10 vjet më parë, më 15 dhjetor 2010. Që nga ajo ditë, asnjë qeveri nuk ka mundur të sundojë në mënyrë absolute mbi ne. Sado që është përpjekur Edi Rama të kufizojë liritë e shprehjes, protestës, madje edhe votës, ai nuk i ka ndalur dot shqiptarët nga udhëtimi drejt vendeve të Europës. Si për ironi, duke ikur me qindra mijëra nga përndjekja, nga varfërimi i pandalshëm dhe nga absurdi që ka shkaktuar regjimi në Shqipëri, qytetarët shqiptarë kanë ushtruar lirinë më objektive: atë të lëvizjes pa pyetur tiranin.10 vjet më pas, ne kuptojmë se sa i padurueshëm do të kishte qenë një mafiashtet si ky i Edi Ramës nëse ne nuk do të kishim patur as lirinë për të lëvizur. Shumëkënd e gënjen mendja kur bind veten se të kishin mbetur në Shqipëri, ata 500 mijë njerëz që mësynë europën gjatë 7 viteve të qeverisjes së majtë, do ta kishin rrëzuar Edi Ramën. Kështu, ndoshta nënvleftësojmë gatishmërinë kriminale të mafiashtetit për të bërë të pabërën vetëm e vetëm që të mos lejojë të preket pushteti.Pra, para 10 vjetësh ishim më të pafuqishëm, sepse ishim të ndarë dhe të izoluar. Liria për të vizituar njëri-tjetrin, për të kërkuar punësim në të zezë, për të marrë pjesë në panair dhe mbi të gjitha, çlirimi nga ai poshtërim përpara dyerve të ambasave na ka bërë më pak të nënshtrueshëm. Që kjo të mos duket ëndërr në diell, përfytyroni një regjim të ngjashëm me këtë të Ramës në një vend pa lirinë që në fituam me 15 dhjetor 2010, si Bjellorusia bie fjala.Për fat të keq, kjo nuk është një liri që fitohet njëherë e përgjithmonë. Që ajo të fitohej, Shqipërisë iu desh të përmbushte 150 kushte dhe që të ruhet duhen respektuar kushte të caktuara.
Në mars të vitit 2017, ka hyrë në fuqi Mekanizmi për Pezullimin e Lëvizjes pa Viza për qytetarët e atyre vendeve me emigracion ilegal të lartë.Mekanizmi i pezullimit të lëvizjes së lirë mund të aktivizohet nëse:- Verifikohet një rritje me më shumë se 50% në emigrimin ilegal;- Vërehet rritje me më shumë se 50% e numrit të azilkërkuesve me shkallë suksesi të ulët, 3-4%;- Bie bashkëpunimi për ripranimin e emigrantëve të paligjshëm; dhe- Rritet rreziku ndaj sigurisë në vendet anëtare të BE-së, në vepra kriminale veçanërisht serioze.Është e qartë e Shqipëria i ka plotësuar disa herë kushtet për pezullimin e vizave. Falë vullnetit politik të kancelares Merkel, kërkesat e disa vendeve anëtare për rikthimin e vizave me Shqipërinë janë refuzuar deri sot. Një vit e gjysëm më parë, kërkesa e Hollandës për rivendosur regjimin e vizave me Shqipërinë u hodh poshtë nga Komisioni Europian.
Sa kemi fituar gjatë një dekade lëvizjeje të lirë drejt vendeve të BE-së, më mirë se sa vetë shifrat e udhëtimeve dhe shkëmbimeve tregtare, mund ta dëshmojë alarmi që shkakton mes shqiptarëve çdo lajm i keq në këtë drejtim. Masat e BE-së për të mbyllur kufijtë me Shqipërinë gjatë muajve të verës për shkak të numrit të lartë të infektimeve na rikthyen përkohësisht shijen e hidhur të përpara 10 viteve. Për një çast, shumëkush e ka menduar se sa afër është rikthimi i atij ankthi dhe sa e mundshme bëhet diktatura në mungesë të lirisë së lëvizjes.Për të gjitha bekimet që na ka sjellë në 10 vite, liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Europian është arritja e tretë më e madhe pas krijimit të Partisë Demokratike në 1990 dhe anëtarësimit në NATO në vitin 2008. Ky hap është një hap kritik dhe i natyrshëm në rrugën e nisur më 11 dhjetor 1990. Dhe jo rastësisht, kjo është një arritje që u bë e mundur për shqiptarët në sajë të atij grupimi politik që u themelua në emër të europianizimit të Shqipërisë, Partisë Demokratike. Si një baner që mbahet në dy skajet e tij në duart e kryeministrit të kohës, z. Berisha dhe Ministrit të Brendshëm të kohës, z. Basha, liberalizimi i vizave është edhe një stacion domethënës për vetë stafetën europianiste të vendit tonë.
Me sa duket, fati i Partisë Demokratike është shkruar të jetë ai i tre vëllezërve të legjendës së Rozafatit; të ndërtojnë sa të munden derisa t’i lënë fuqitë përpara muzgut ish-komunist dhe të gjejnë në mëngjes të rrënuar atë mur që kishin ngritur. Do të duhet, pra, që Partia Demokratike t’i japë edhe një të shtyrë Shqipërisë për ta futur në Bashkimin Europian. Por që kjo të bëhet, duhet që Shqipëria t’i japë një dorë PD-së drejt pushtetit.