
Valbona NATHANAILI
Dikur thonim mbi 40 vjeç duhet të pranosh çdo post në administratën publike, vetëm po të propozojnë për ministër duhet të mendohesh. Por që të thotë një ministër arsimi që do marrim psikologë për të rinjtë që kanë qenë në protesta, vetëm këtu dhe sot mund të ndodhë. Edhe në komunizëm nuk dëgjoje thagma të tilla.
Posti i ministrit është të iniciojë reforma, shpalosë vizione dhe ndërtojë strategji për zhvillimin e sektorit që mbulon. Znj. Ministre! Misioni i shkollës është të përgatisë, në radhë të parë, qytetarë, qytetarë që janë në gjendje të mendojnë e gjykojnë vetë. Kjo është a-ja dhe zh-ja e shkollës. Nëse nxënësit dalin në protesta apo jo, shkatërrojnë pronën publike apo jo, dalin të mbjellin pemë apo jo, kjo nuk është punë psikologu – ose më mirë po e gjete zgjidhjen te psikologu ke pranuar dështimin e sistemit.
Dhe ju jeni aty sepse presupozohet se duhet t’i jepni impuls për të ecur në kahjen pozitive. Sigurisht, nëse keni pasur kohë të mendoheni!