Categories
Uncategorized

Paraja e gjakut

Kastriot DERVISHI

Siç edhe e kisha parashikuar, çështja e kërkimit të eshtrave të personave të vrarë apo të vdekur për arsye politike në regjimin komunist, nën përfshirjen e ICMP-së dhe Autoritetit “për hapjen e dosjeve”, nuk mund të vijonte veçse në një tallje mendereje. Nuk bëhet llaf se si mund të gjenden eshtrat e ndonjë personi, por se si të ndahen ca para. Kjo do të thotë se kjo çështje u duhej shokëve të përfshirë në të vetëm si sebep financiar dhe nuk ka lidhje me asnjë lloj qëllimi tjetër. Në qypin e mjaltit europian ku sigurisht ngjyhen burokratë të Brukselit në Tiranë, sipas një njoftimi të mëparshëm, janë bërë gati “grante të vogla” për shoqatat e familjeve të të zhdukurve dhe “organizatat e shoqërisë civile”, në masën 7-9 mijë euro secili. Këto u shpallën sot në zyrën e shokëve të ICMP-së. ICMP-ja është në kushtet e shkeljes së ligjit duke lidhur marrëveshje që dalin jashtë funksionit të saj të përcaktuara në marrëveshjen përkatëse. Ligji nuk i ka dhënë ICMP-së asnjë rol prifti për “rritje ndërgjegjësimi” apo gjëra të tjera. Për këtë, ka shumë arsye që marrëveshja me ICMP-në të quhet e rënë dhe kjo organizatë duhet të mbledhë leckat e të largohet nga Shqipëria. Se Autoritetin e dimë që është kot dhe pa asnjë lidhje qysh kur është krijuar.Sipas nenin II/3 të ligjit nr.83/2018, “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP)”, ICMP-ja ka për detyrë analizën e mostrave të gjetura, si dhe analizat provuese të ADN-së së familjarëve që pretendojnë eshtrat e personit të dënuar me gjyq, vrarë pa gjyq, vdekur në hetuesi ose gjatë vuajtjes së dënimit. Nuk e dimë a do bëjnë analiza mostrash ata që janë përzgjedhur si kronikanë apo ndërgjegjësues, por paraja e gjakut është më e rënda se çdo lloj paraje tjetër. Nuk mund të tallesh në këtë mënyrë.

Leave a comment