
Mario LUZI
Era asht nji za i vrazhdë që paralajmëron
tufën që nganjiherë gjen paqe
e strehë përmbi këto degë të thata.
Dhe moria e tyne rinis fluturimin e trishtë
e kthehet në zemrën e maleve, vjollcë
zgavrrue në vjollcë të pasosun
minierë pa fund e hapësinës.
Fluturimi asht i ngeshëm, çan me zor
në të kaltër që hapet matanë kaltrinës
në kohën që asht përtej kohës; disa
lëshojnë klithma të mprehta që bijnë teposhtë
e asnji shpat nuk u ban jehonë.
Ajo që shfaqet asht lëvizja e majeve
në kohë – gati as të shkon ndër mend,
as dot s’thuhet – kur mbi shtjella të padukshme
gjith’ rretherrotull nji pranverë e çuditshme
lulëzon ndër re të rralla që era
i kapërdin në nji qiell të lagësht a të djegun
dhe fati i ditës kthen,
breshni, shiu, kthjella.
Perktheu Albri Brahusha
_________
Përkthimi në të vërtetë zgjidhet në nji marrëveshje të errët lidhjesh, qëndresash e pretendimesh pa prova të ligjshme, mes autorit dhe autorit.