
Genc DRINI
Në emisionin e Xhaxhiut të orës 18, në Fax News, që po shoh tani, më bën përshtypje titulli:”Covid “19 Pabesia e një virusi”. Sido që në thonjëza, përsëri nuk përtypet. Nuk është dëgjuar që viruset, virusi Covid 19, të ketë marrë një zotim kundrejt njerëzve sesi do sillet me ta, dhe nuk po e mban. Por ka një përbetim solemn në mes njerëzish, në mes shqiptarësh, të bërë në shtatorin e v. 1942, në Konferencën e Pezës për luftë kundër armikut. Aty u bë marrëveshja, nën formulën, “PA DALLIM FEJE, KRAHINE DHE IDEJE”, të gjithë për luftë kundër armikut pushtues. Do bashkoheshin në Frontin Nacional Çlirimtar, që u krijua aty, dhe PAS LUFTE do zhvilloheshin ZGJEDHJE TË LIRA DEMOKRATIKE. VETËM KOMUNISTËT PARTIZANË “E MBAJTËN SOLEMNISHT BETIMIN”, u vërsulën, gjatë dhe pas luftës kundër shqiptarëve dhe i VRANË PA DALLIM FEJE, KRAHINE DHE IDEJE”. E rroposën ndërgjegjen kombëtare shqiptare përtokë, dhe shqiptarët i zhytën në honin më të thellë, nga i cili ende pas rreth 80 vjetësh, rropaten e rropaten e nuk po dalin dot. Virusi partizano-komunist, diktatorial, edhe sot ka plotësisht të drejtë të mburret për krimet dhe shkatërrimet “mahnitëse” që u ka shkaktuar shqiptarëve gjatë luftës, dhe pas luftës. Lufta Nacional Çlirimtare u zhvillua kundër armikut, po, por as sot nuk duket askund në historiografi dhe politikë një ndarje e luftës kundër armikut, nga lufta civile, si dhe krimet dhjetëra vjeçare të komunistëve. Asnjë vrarje ndërgjegjeje për këto krime , as prej personazheve direkt, dhe as prej pasardhësve të tyre që sot po sundojnë vendin. Madje sot, zëdhënësit, historianët e komunizmit bërtasin:“MOS E PREKNI LUFTËN NAC.ÇLIRIMTARE”, dhe klon parlamenti kalon një ligj parlamentar që ndalon studimin e arshivave për krimet gjatë Luftës Nacional Çlirimtare të bëra nga paraardhësit e tyre. Me këtë vendim pasardhësit vërtetojnë se edhe ata vetë janë virus klone komuniste me potencë rrënuese që shqetëson, sido që në një periudhë sistemi kapitalist. Një luftë e lavdishme do duhet të shpalosej në çdo detaj, po çfarë kërkohet të fshihet duke mos e lejuar? Frikë se mos i hiqen dhe më petët lakrorit dhe brenda içit të duken dhe më qartë duart e serbëve dhe të komunistëve shqiptarë në një cikël krimesh të pa fund ndër shqiptarë, duar që kriminale zgjaten deri në ditët tona? Edhe në Kosovë u bë një luftë çlirimtare, arshivat nuk u mbyllën.. Për Covid-19, nga studimet këmbëngulëse dhe të pa censuruara ,u gjet një vaksinë. Me censurim të historisë, si do arrihet të prodhohet një vaksinë për shpëtimin e shqiptarëve nga virusi shkatërrues që ende sillet mes tyre i futur në Konferencës e Pezës nga partizan-komunistët e Shqipërisë të lidhur me sllavët?