Categories
Uncategorized

Të lemë ca shenja të asaj kohe tmerri. Siç hebrenjtë e ngritën dhe e mirëmbajnë Aushvicin.

Agim XHAFKA

Te Tirana e Re është një vend që kurrë nuk kaloj. Edhe po të më çojnë me zor do i mbyll sytë e do i them vetes, nuk ndodhem atje, nuk ndodhem atje. Në fakt është rrugë e rrahur shumë nga makinat e njerëzit. Ka plot pallate dhe quhet zonë e preferuar për banim. Ndërsa për mua është vend i nëmur. Se gjendet dyqani i bulmetit. I bulmetit i thonin se veç ca shishe qumësht e kos shiste. Ato vite fati më solli një gaz të madh, dy vajza binjake. Një lumturi pa kufi. Po rritja e tyre në ato kohë qe heroizëm i vërtetë. Do na duhej si ai ariu në dimrin e egër të gjenim ushqim pér fëmijët. E parësor për të porsalindurat ishte qumështi. Duhej siguruar pa tjetër.

Flija që në dhjetë e zilja më çonte në orën 1. Ngrihesha e ashtu me symbyllur shkoja drejt dyqanit, vendosja djathtas,nga ana e burrave,një tullë të mbështjellë me gazetë. Pastaj kthehesha me gaz në se isha deri i dhjeti e pak nervoz përmbi këtë numër. Futesha sërish në krevat e më 4 e gjysëm zilja më ngrinte zgupthi, sikur në shtëpi kishte rënë zjarr. Vrap te dyqani. Hidhja një sy nga tulla ime. Afrohesha dhe e prekja me dorë si për t’u thënë të gjithëve se ajo qe shenja ime. Pastaj ulesha te trotuari e rrija me sytë nga rruga sipër. Afroheshin plot burra për muhabet, por nuk ua varja. Kisha prova që shumë ishin futur në burg nga bisedat te bulmeti.

Kështu deri në orën gjashtë. Sa uturinte makina e furnizimit ngriheshim e pa komandë viheshim në rradhë. Numéronim arkat. Kur kishte tetë i shumëzonim me dhjetë shishe e na dilte 80. I pjestonim për dy, që të kuptonim sa shishe kishte ana e burrave. Dhe na dilte shifra 40. Pra 20 nga rradha jonë qenë fatlumë. Ndérkohë hidhja kokën pas e shihja që pas meje qenë mbi 50 njerëz që do ktheheshin duarbosh në shtëpi. Sa merrja shishet e mija nisja e fishkëlleja. Ia dola, nuk më shkoi kot pagjumësia. Po ky rregjim tmerri nuk qe veç një herë. Ishte pérnatë. Ndaj më ndodhte që sa vija nga puna dremitja në kuzhinë. E jo ca minuta, por edhe deri dy-tre orë. Kështu kaluan vite. Deri sa vetë vajzat, kur u rritën dhe e panë këtë strapacitje, kérkuan që mos çohesha më. Nuk ia vlen, nuk jemi më fëmijë, pimë dhe çaj. Bile na pëlqen më shumë. Aq stres më krijuan ato vite sa u betova se asaj ane nuk do kaloj kurrë. Dhe e kam mbajtur fjalën. Gruaja më ka thënë se ai dyqan tani është farmaci, por i kam thënë që dhe dyqan lodrash të bëhet mua më del para rreshtimi i burrave e grave duke numéruar arka e duke i shumëzuar me shishe.

Shpesh kur shoh buste e monumente nëpér qytet më shkon mendja që të krijohet një basorilief në faqen e pallatit me një njeri ulur në trotuar, i trishtuar, me sytë nga rruga sipër duke pritur makinën e qumështit. Të lemë ca shenja të asaj kohe tmerri. Siç hebrenjtë e ngritën dhe e mirëmbajnë Aushvicin.

Leave a comment