Categories
Uncategorized

“Zëri i Masës”.

Genc DRINI

Piktori i mirënjohur Sali Shijaku, në vitin 1974, paraqet në ekspozitën kombëtare në Tiranë tablonë, “Zëri i Masës”. Në studion e tij, sigurisht me temat e kohës, duket shpina e një telajoje të madhe në kavalet, dhe përballë, pikturuar veten të rrethuar nga disa punëtorë, të cilët gjatë procesit krijues të një subjekti që nuk shihet, sepse shihet vetëm ana e pasme e kanavacës, i japin mendimet e tyre piktorit se si duhet ta zhvillonte tablonë. Janë krejt të pa ftuar nga piktori dhe ndërhyjnë dhunshëm në krijimin e tij. Ishte koha që partia duhet të kishte në kontroll çdo gjë. Vepra e ekspozuar, u lavdërua dhe u komentua nga kritika për zgjidhjen kompozicionale e të tjera. Dhe sot madje sheh kritika nga më fantazueset për atë tabllo ku piktori ndjehet i topitur… Po në fakt, çfarë e ka ngacmuar Sali Shijakun për të bërë atë tablo, dhe si e ka ndjerë veten në vite? Kjo del nga vetë tabloja, po të kthehemi pas në atë vit. Dhe këtu është rasti të tregoj një bisedë që i bën nder Sali Shijakut. Në vitin 1974 , në një ardhje tijën në Shkodër, shoqërohej me mikun e tij, njeriun dhe piktorin e vlerave të rralla, të ndjerin Ismail Lulani. Me ta isha dhe unë, po ecnim afër sheshit ku është sot Galeria e Arteve e qytetit. Saliu nisi tregojë për gjyqin e bujshëm që sapo ishte bërë në Tiranë (pikërisht në atë vit), kundër piktorit Edison Gjergo, për ndikime të artit borgjezo revizionist, dhe ku e dënuan me tetë vjet burg (të cilat i bëri nga v. 1974-1982). Saliu tregoi se qenë thirrur të jenë prezent në dënimin që do jepej, dhe artistë, piktorë, mes tyre dhe ai vetë. Unë dhe Saliu, njiheshim pak me njëri tjetrin (veç përshtypjeve që mund të ketë dëgjuar nga Ismaili), pa për një çast nga unë, dhe nuk u step, e mbylli me shprehjen që i shumë bën shumë nder: “E ndjemë veten si te “Piktori dhe Inkuizicioni”…

Duke sjellë ndërmend gjyqin që i bëri inkuizicioni piktorit Francisko Goja dhe që gjithkush e kishte parë. Aq tregim duhej për të parë Spaçin. Duket se nga ndjenjë e tillë proteste, kundër frymës shtypëse që po mbyste lirinë dhe artin, i ka lindur dhe ideja e tablosë “Zëri i Masës” të po atij viti 1974 . Piktori i tulatur, e sheh studjon, krijimin e tij, veten të uzurpuar, nga fytyra të punëtorëve, edhe ata viktimë për vete në atë rrol që me zor i kanë vënë të lozin, por që të gjithë janë nën syrin e inkuizitorit të pa mëshirshëm. Pas shënim i tepërt, Gjatë gjithë asaj periudhe të egër, të kuqe, pati mjaft piktorë, si dhe nga artet tjera, letrarë që pikërisht për krijimtarinë e tyre i kalbën burgjeve me dhjetëra vjet.

Leave a comment