Ardian MUHAJ
Nuk e kam dëgjuar intervistën e ministrit të integrimit të Kosovës z. Blerim Reka të cilën mediat dhe masat e opozitës së PDK-së dhe AAK-së e bënë bujë të madhe dhe kërkuan dorëheqjen e tij.
Nuk e kam dëgjuar dhe mendoj se nuk ia vlen ta dëgjosh, ose më saktë besoj se duhet të shmangemi sa më shumë nga dëgjimi e shikimi i intervistave të zyrtarëve qeveritarë nëpër media të shkruara e vizive. Intervista të tilla në njëfarë mënyre apo në shumë mënyra janë abuzim me postin dhe në shumë aspekte janë privilegjim i njërës apo tjetrës media. Pra, janë reklamë qeveritare për një media të caktuar.
Komunikimi i ministrave dhe zyrtarëve të lartë të shtetit nuk duhet bërë përmes një televizioni apo gazete të caktuar, por përmes deklaratave zyrtare dhe konferencave për shtyp kur të gjitha mediat janë të lira e të ftuara paraprakisht të jenë prezente. Kjo shmangie nga privilegjimi qeveritar i mediave të caktuara përfshin edhe televizionin publik, pasi godet konkurrencën e lirë dhe për pasojë edhe fjalën e lirë në tregun e mediave.
Nuk e kam dëgjuar edhe për faktin se besoj se deklarimet apo gabimet që bëhen në intervista të tilla nuk duhen marrë për bazë dhe nuk duhen shfrytëzuar politikisht. Pra, duhet të mësohemi që t’i gjykojmë qeveritë e politikanët në bazë të qëndrimeve zyrtare e jo gabimeve gjuhësore e lapsuseve të çastit.
Mirëpo, lexova deklaratën e vetë ministrit Reka në faqen e tij zyrtare e cila në këtë rast duhet marrë shumë seriozisht, pasi nuk është deklaratë e bërë nën trysninë e studios televizive dhe “live”, por e mirëmenduar dhe e redaktuar e për më tepër e shkruar.
Për çudi, ministri Reka në vend që të sqarojë se nuk e mbështet qëndrimin e shprehur në intervistën televizive, shkon më tej dhe e mbron edhe më shumë.
Ministri Reka shkruan në faqen e tij zyrtare tektualisht:
Të nderuar qytetarë,
Këto ditë pati kritika nga opozita në lidhje me një fjali timen në intervistën televizive në emisionin “Jeta në Kosovë”. Ishte e nxjerrë nga konteksti dhe vetëm pjesa e dytë e përgjigjes në pyetjen: “A do t’i kërkohet Kosovës me marrëveshjen e Uashingtonit, t’i japim territor Serbisë”? Pas përgjigjes sime se nuk mund të përgjigjem në pyetje hipotetike, por assesi askush nuk guxon të jap territor për ulësen në OKB, sepse integriteti territorial është i panegociueshëm; në insistimin e gazetares se çka ateherë mund të japim për atë ulëse në OKB, thashë ndoshta si ide eventuale qe t’i lejojmë Serbisë kalimin tranzit nëpër autostradën tonë për detin Adriatik. Pra, diçka që edhe deri tash i është lejuar Serbisë dhe që është ngritur si ide edhe në kuadër të Procesit të Berlinit që nga viti 2014. Kjo është e tëra, as nuk është vendim, as qëndrim i qeverisë, por një mendim i imi personal dhënë në pyetjen konkrete për një çështje konkrete. Asgjë më tepër.
Natyrisht, unë mbroj qëndrimin e kryeministrit Kurti për reciprocitet me Serbinë si parim i marrëdhënieve dhe marrëveshjeve tona të ardhshme. Gjithçka tjetër vjen në shprehje vetëm më vonë, vetëm më pas.
Më duket e pandershme qe ata të cilët nuk e kërkuan dorëheqjen e Presidentit aktual teksa negocionte zgjidhje territoriale me shkëmbime sekrete, të kërkojnë tash dorëheqjen time.”
Pra, ministri Reka vazhdon të këmbëngulë në idenë e tij por thekson tashmë me gjakftohtësi të plotë se kjo ide dhe ky qëndrim për sigurimin e një daljeje të Serbisë në Adriatik duhet të vijë në shprehje vetëm më vonë, vetëm më pas”… ?!
Tani këtu duket qartë se “virusi” i minishengenit e ka mbërthyer edhe ministrin Reka. Nëse e pranojmë se z. Reka e mbron qëndrimin e lejimit të kalimit të Serbisë tranzit në Adriatik përmes autostradës tonë, jo tash por më vonë siç e thekson vetë, atëherë lind pyetja:
Pse duhet bërë kjo? A mos vallë po i ndalon kush serbët të kalojnë, të shkojnë e vijnë sipas rregullave nëpër autostradë? Natyrisht që jo.
Përse paraqitet shtrembër realiteti sikur shqiptarët ua kanë mbyllur mundësitë serbëve të lëvizin nëpër rrugët tona, kur përditë shohim makina e maune që lëvizin lirisht nëpër të gjitha rrugët e Shqipërisë e Kosovës, ashtu siç lëvizin nëpër rrugët e shteteve të tjera.
Si do të bëhet kjo? Si mundet të kalojë një shtet nëpër një autostradë? Dhe ç’kuptim ka të shkruash në një deklaratë zyrtare që do lejojmë kalimin tranzit të Serbisë (sic!) nëpër autostradën tonë për në Adriatik, kur shtetastit serbë e bëjnë tashmë këtë ashtu siç e kanë bërë me dekada dhe sipas rregullave të transportit ndërkombtar. E po ashtu është shtrembërim të pretendohet se shtetasit serbë kanë qenë të ndaluar të qarkullojnë nëpër rrugët e Shqipërisë e të Kosovës deri në vitin 2014 kur na qenka lejuar sipas “procesit të Berlinit”.
Ministri Reka si duket është prekur nga “virusi” i minishengenit. Prandaj, nuk besoj se duhet të kërkojmë dorëheqjen e tij, por t’i urojmë shërim sa më të shpejtë!