Categories
Polis

5 dëshmi që UFOt kanë ekzistuar në Shqipëri, ose…?!

Ardian MUHAJ

7 marsi e riktheu sërish misterin e shkollimit të shqiptarëve  si popull i lashtë Ballkanik.  Misteri ka të bëjë me pyetjen se si është e mundur që një popull të ketë njëkohësisht një histori shumëshekullore e mijëravjeçare dhe të ketë qenë i pashkolluar dhe analfabet. Misteri bëhet edhe më i madh nëse kemi parasysh se përpara mësonjtores në trojet e banuara nga shqiptarët dëshmohet ekzistenca e veprave të krijuara dhe të ndërtuara nga njerëz që duket se kanë qenë shumë të shkolluar, ose nëse pranojmë pretendimin se para mësonjtores së Korçës shqiptarët ishin analfabetë, atëherë duhet pranuar se këto monumente të paarritshme për shqiptarët e sodit, të jenë vepër e …Ufove.

Më poshtë po japim 5 shembuj të sigurtë që ose shpjegohen me teorinë se janë ndërtuar nga jashtëtokësorët, ose nuk na mbetet tjetër veçse të pranojmë se janë ndërtuar nga banorë vendas shqiptarë, jo thjesht të shkolluar, por shumë të shkolluar. Pamjet dhe shembujt flasin vetë.

Shembulli i parë

Qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës

Trashëgimi e vetmja e shqiptarëve në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Kur themi qytetet e Beratit e Gjirokastrës, Unescos nuk ia kanë mbushur mendjen pjesët e ndërtuara pas mësonjtores, por vetëm pjesët e ndërtuara para saj, pra nga të shkolluarit tamam ose… nga Ufot.

Shembulli i dytë

Ura e Mesit.

Kjo urë perfekte, me hark qendror të përsosur dhe të ndërtuar në gurë të lidhur e të puthitur në mënyrë aq profesionale sa që edhe pse është ndërtuar në periudhën e hershme të Bushtalinjve, të kohës së Mehmet Pashë Plakut, u ka rezistuar rreth 250  dimrave, vjeshtave, pranverave e verave dhe përveç prurjeve të vrullshme të Kirit edhe disa tërmeteve si ai i vitit 1905 apo ai i vitit 1979. Megjithatë është një nga mrekullitë, të cilat duhet me qenë shumë budallë me thanë se e kanë ndërtuar njerëz analfabetë e të paditur.

Shembulli i tretë

Pazari i Shkodrës.

Tregu më i madh i Ballkanit me qindra dyqane e dhjetra industri e zeje. Dokumentacioni i ruajtur tregon tregtarët që kryenin operacione financiare e tregtare me shtrirje ndërkombëtare. Ata mbanin shënime të hollësishme dhe bënin llogari të përpikta mbi çmimet, kurset këmbimit të parave të ndryshme etj. Shumë prej tyre përveç se kishin dyqanet e tyre, kishin edhe anijet e veta për transportin e mallrave. Tani që të kenë qenë analfabetë e të pashkollë ata tregtarë që bënin tregti fitimprurëse me Ankonën, Venecian,  Triesten, Tripolin, Tuzininë, Egjiptin etj,  duhet të jesh shumë analfabet ose të jesh ufo vetë…!

Shembulli i katërt

Kishat e Voskopojës

 Kishat kryesore u ndërtuan disa dekada para urës së Mesit dhe për këdo që ka dyshime mbi vlerat arkitekturore të tyre, aty janë ende dhe mundet edhe t’i vizitojë në se dyshon se fotot janë “fake” dhe mbase me atë vizitë gjen edhe ndonjë gjurmë ekstra esktraterrestrësh.

Shembulli i pestë

Xhamia e Sofi Sinan pashës në Prizren

E ndërtuar edhe më herët se të mësipërmet në dekadën e fundit të shekullit XVI.  Për këtë nuk po themi gjë, pasi vlejnë të gjitha ato që kemi thënë për të tjerat më lart.

…. Secili mund të shtojë shembujt të tjerë plot, jashtëtokësorësh siç na thonë alfabetët e pas mësonjtores, ose shqiptarësh të shkolluar e të arsimuar siç na thonë faktet e shembujt.

Leave a comment