Ardian MUHAJ
Vendosja e një takse tregtare apo gjobe financiare për arritjen e synimeve të caktuara politike është një masë ekstreme që konsiderohet mjet ose armë polititike. Një nga armët e njohura në histori është edhe bumerangu. Pyetjet që shtrohen në çdo përballje janë: a ia vlejti dhe kush përfitoi?
Përgjigjet respektive janë: nuk ia vlejti dhe ajo që përfitoi prej vendosjes së taksës është Serbia.
Taksa e ka dëmtuar rëndë Kosovën dhe nuk e ka lënduar aspak Serbinë. Jo vetëm kaq, por taksa që në krye të herës ka pasë shenjat tipike të një stratageme të Beogradit e cila është infiltruar mjeshtërisht në programin e qeverisë Haradinaj. Çdo element i saj që prej vendosjes pa paralajmërim, tek vendosja e numrit simbolik 100%, tek moskoordinimi i plotë me vendet fqinje dhe as me vendet e tjera e deri tek mbartja e të njëjtit bumerang politik nga qeveria Haradinaj tek qeveria Kurti, tregojnë se taksa nuk është tjetër veçse një kalë troje i Serbisë për dëmtimin dhe dobësimin e pozitës gjeopolitike të Kosovës.
Edhe lidhja e heqjes së saj me atë ashtuquajturin reciprocitet është e pakuptimtë. Reciprociteti është parim universal dhe bazë e çdo raporti, nga ai ndërpersonal deri tek ai ndërkombtar e ndërshtetëror. Reciprociteti është detyrë dhe parim universal. Themeli i drejtësisë njerëzore është parimi i reciprocitetit, prandaj është pa pikë kuptimi pretendimi se dikush e paska shpikë për herë të parë.
Efektet e taksës në ekonominë serbe janë të diskutueshme, por efekti në forcimin e imazhit të Serbisë dhe dobësimin e imazhit e pozitës së Kosovës janë të padiskutueshme.
Kjo nuk ka të bëjë fare me ndonjë qëllim të keq nga ana e z. Haradinaj dhe z. Kurti. Largqoftë!
Është dëshmia e radhës se Beogradi e njeh aq mirë politikën dhe psikikën e shqiptarëve saqë na kontrollon dhe na çon tek përmbushja e synimeve të veta gjeopolitike duke na krijuar idenë-iluzion se po e dëmtojmë.
Taksa ka qenë një mjet i përdorur me sukses nga Beogradi. Shqiptarët u dëmtuan mjaft prej saj.
Tash, hiqeni kalin serb të trojës nga kurrizi i Kosovës!