Categories
Politologji

Albin Kurti nuk është më shpresa e Kosovës…

Ardian MUHAJ

Prej 6 tetorit janë mbushë 5 muaj që qytetarët e Kosovës i kanë dhanë votëbesimin një qeverie të kryesuar nga z. Kurti për të realizu shpresat e radhës që çdo shoqëri e zhgënjyer nga politikanët që e gënjejnë i var tek dikush, “ndryshe”. Në raste të tilla zhgënjimi të thellë ndryshimi  lidershipit politik bëhet qëllim në vetvete dhe jo mjet për diçka më të mirë. Një mënyrë për largimin e të keqes dhe jo një garanci për afrimin e të mirës.

Nga këta 5 muaj ose gati gjysëm viti në pushtet, 4 muaj u shkuan në biseda për ndarjen e tortës së pushtetit, kurse tash u bë muaji që torta është nda dhe të gjithë janë të kënaqur me pjesën që kanë arritë me marrë.

Mirëpo duket se zhgënjimi ka trokitë në derë shumë herët. Përndryshe nuk mund të justifikohet më të thuhet se qeveria Kurti është shpresa. Përditë vazhdojmë të lexojmë artikuj mbi shpresën që z. Kurti mbart për Kosovën. Tani këta artikuj ose janë shkruar me kohë e nxirren nga frigoriferi për t’u shkrirë në opinionin publik sot, ose artikullshkruesit e opiniondhënësit nuk e kanë marrë vesh se Albin Kurti nuk është më shpresa e Kosovës, por realiteti i saj.

Nuk bën të flitet më në të ardhmen sikur të ishim ende në fushatë zgjedhore, por në të tashmen. Pra, kemi bërë këtë e atë, e jo do të bëjmë kështu e ashtu.

Një qeveri që e koncepton punën e vet si fushatë zgjedhore, jo për të ndryshuar diçka për mirë, por për të qëndruar në pushtet dhe që e ka propagandën shqetësimin e vet kryesor është e caktuar të dështojë shoqërinë dhe të forcojë qeverinë.

Një shoqëri që vetëm mban shpresë e nuk kërkon llogari, është e caktuar dështojë vetveten.

Prandaj, boll më me propagandën e shpresës. Kthehuni tek realiteti gri dhe tek kritika e atij realiteti.

Mjaft me inaugurime projektesh e fillimesh. Jepini vetes e vendit punë konkrete e të kryera.

Duhet pranuar realiteti ashtu siç është, edhe nëse Albin Kurti nuk është më shpresa e bukur e Kosovës, por realiteti gri i saj.

Leave a comment