
Ilir SECI
-“Bonjour monsieur je m’appelle Jean-Léon Gérôme et je suis peintre et ton roi t’a donné l’ordre de poser pour moi après le refus d’hier de ta part…” – i tha në frëngjisht atë ditë të vitit 1856 piktori i madh francez Jean-Léon Gérôme, kapedanit shqiptar në këtë pikturë…
Kapedani u kthye nga terxhumani, (perkthyesi), dhe e pyeti :-“Ore çfarë dogënis alla-frënga ky frëngu i flamosur se më lodhi?” Perkthyesi i qetë ia ktheu : -“Në shqip i bie – “Përshëndetje zotëri, unë quhem Jean-Léon Gérôme…unë jam piktor dhe mbreti juaj ka lëshuar urdhër per ju që të pozoni për mua pas refuzimit të djeshëm nga ana juaj”
-“Epo pike e zezë, ç’mu qep mua si rrodhe dhe ki mo aman…më rrokanisi fare ky frëngu… – shfryu ca mallkime e fjalë të kripura kapedani i sertë dhe i tha përkthyesit :
-“Thuaji këtij frëngut se meqë ka këmbëngulur mbreti, mirë atëherë do rri të më zografisë, por ama nuk rri si nuset kur nusërojne, do rri si dua vetë, do rri si dua unë vetë dhe mos më thotë të qesh apo të rri ngrirë si u tha të tjerëve dje ki…ta dijë ai se unë po zografisem me zor.”
-“O Kapedan do të të bëjë me famë e me zulmë zografisja e tij” – i tha piktori, – tërë bota do shohë zografisjen tënde…”
-“Epo aty e kam tërë inatin dhe unë…se tërë bota do shohnë zografisjen e do thonë – “Ja e zografisi frëngu kapedanin.”…ç’ti bëj mbretit që ngordh pas frëngjve pa ia rregulloja qejfin mirë këtij unë…”