
Genc DRINI
Sot nga dreka pashë një polic anglez nja dy metër të gjatë dhe nja 130 kg. peshë ndoshta, po kaq i trashe ishte në mesin e tij sa qe mezi po ecte duke çuar me zor një këmbë mbas tjetrës. Më tërhoq vëmendjen se ç’ është e vërteta ”kishte marrë turr” me të gjithë shpejtësinë e mundshme hap, hap, për të kapë një keqbërës që po ikte i lehtë si pupul duke vrapuar me 10 sekonda qindëshin. Brenda një minute distanca mes tyre u bë dhjetë fish. Ndërkohë qe polici tmerrësisht i ngadalshëm mu duk një paradoks i pashpjegueshëm e me bëri të vë buzën ne gaz, mu kujtua diçka dhe më paradoksale. Sekretari britanik i shtetit për punët e brendshme i para do kohëve, qe D.B. i verbër që në lindje. Ndërkohë që drejtonte dikasterin të cilit i nevojiteshin sy e veshë katër, ai vetë drejtohej nëpër rrugët e Londrës dhe kudo nga qeni i tij i mësuar….!
Mbas këtij reflektimi, tek unë u përvijua një buzëqeshje e re, por e një natyre krejt tjetër që më dha të kuptoj se tash po mendoja me mendje të mbledhur…..Qeshë në situatën reale….! Anglezët kanë një qetësi proverbiale, dhe shihet, nuk bëjnë shumë zhurmë kudo që janë, dhe kjo të çudit! Po pse ndodh kështu vallë, a mos ndoshta nuk kanë gjak të nxehtë apo dhe “fisnik” si të tjerët…?…Sigurisht një përgjigje indirekte nuk asht e vështirë për tu gjetur, mjafton të kujtojmë historinë e perandorisë e bëmat e sajë, apo të kalojmë në paradë dhe ”lavditë” e famëshme të përditshme të tifozerisë angleze të futbollit, veç tjerash për të kuptuar, dhe dy natyrat e gjaknxehtësisë angleze…!.
Atëherë, pse quhen të qetë anglezët? Shumë thjeshtë, sepse janë të ”qetë”. Dhe janë të qetë sepse kanë arritur sigurinë në vetë vete, se në çdo kohë janë të aftë të veprojnë! Ata ruajnë qetësin dhe qetësia ua ruan mendjen të ftohtë, dhe kjo bën të mundur të organizohen dhe të veprojnë. Mirë, po jo krejt kështu! Ka kohë qe i kanë në këmbë të organizuara strukturat e veprimit dhe kundërveprojnë vetvetiu sapo të sulmohet rendi, shteti, nga jashtë a nga brenda, dhe nuk kanë nevojë për alarmim për alarmim. Dhe meqënëse nuk e demonstrojnë zemërimin, provokatorët zhgënjehen që nuk arrijnë kurrë të shijojnë lumturinë e vërtetë se arritën të çorientojnë kundërshtarin shtet dhe përfituar nga çorientimi i tij. Përpara se të nxehen, anglezët ftohen. Sqarojnë deri në fund çdo gjë dhe në fund thonë fjalën e tyre, E veprojnë menjëherë si një mekanizëm, për t’i çuar gjërat ne vend. Kjo asht natyra e nxehjes angleze. Veprimin e tyre final, që me termat tona mund ta quanim si të duam, anglezet e quajnë ekuilibrim të situatës në kontrollin dhe favorin e tyre. Kanë kohe pas pune për disa birra në pabet plot. Anglezët janë të qetë se ”tallen” shumë, por ama si asnjë popull tjetër. Tallen shumë me të tjerët, por ma parë tallen me veten, me dobësitë e veta, jo për të ofenduar vet veten, kjo nuk ndodh kurrë, por për të arritur ekulibrin e duhur vetjak, arriture kalitjen e temperamentit të vet. Ata e ndjejnë veten pjesë të një shoqërie qe nuk është kurrsesi nuk ësjtë pa të meta dhe pa mangësi. Kështu që edhe kur të tjerët tallen me ta, nuk nguten dhe nuk hakërrehen si histerikë te çartur, po qeshin pak nen buzë, mundet dhe zgërlaqen me portretizimin qe u bëjnë të tjerët, dhe veç reflektojnë Ky është testi i ekuilibrit që i mëson të jenë të qetë në çdo rrethanë. Është vetë kontroll. Duke ”mos u nxehur”, dhe duke mos u ”turpëruar, apo hutuar” as nga e vërteta, dhe as nga shpifjet, ata ruajnë kthjelltësinë e mendjes, të vëzhgimit dhe të veprimit. Kjo bën që të mos ketë popull në botë që e zë lepurin me qerre më mirë sesa anglezët, veçanërisht si shoqëri e organizuar. Është një gjë që dihet, arritja e synimeve, apo kapja e lepurit, ai është qëllimi i fundit, dhe pastaj bulldogut anglez nuk i shqitet gjë nga goja.
Unë nuk po hy të përcaktoj se kur e si e kane fituar qetësinë anglezet, britanikët, por mund të kujtohem menjëherë se kur e kanë humbur qetësinë shqiptaret të cilët dikur kanë qenë veçanërisht të qetë , nuk janë ngutur as në gjykim, as në Kuvend, as në burrni. E kanë humbur kur filluan të grinden keq e më keq në mes vetes, me pasoja për të gjithë shqiptarët në të gjithë hapësirën shqiptare, aty diku pas 8 nëntorit të vitit 1941.