
Ilir SECI
…Stinave te verës kur delshim atje nelt në Bjeshke te têla jonë, gurët e stanit i kqyrsha me mall bash sikur e kqyr njeri nji mik të mirë që ka kohë pa e takue…Stani ynë, nji grumbull guresh te paluem e të bamë mur i thatë, gati tue prite per ne me u ngjitë, me ia qitë mblojën me lugj druni e me hy mbrenda…guret e paluem me kujdes nja mbi nja per me ba muret e thata të stanit, nuk kishin luejtë vendi por ishin mbajte aty me forcë bash si padurimi yne me dale në bjeshke.
Eh sa e kam dashtë ngjitjen në Bjeshke!
Sa zbritnim pjetposhtë Qafën e Lugit të Thive, çmallesha me relievin, tiparet e maleve te nalta ne horizont me dukeshin si tiparet e gjyshave kur na pritshin të qeshun te shtegu i oborrit…shtegu në Qafe të Lugit të Thive ishte shtegu i bjeshkes tone…Sa mbrrijshim te stani shkarkojshim kuajt prej barres së randë qe e kishin bajtë tanë durim deri aty edhe ua hiqshim edhe samarët…nga kurrizet e kuajve vlonte nji avull djerse mundimi…avull qe e krijonte ajri i ftoftë i bjeshkës. Kuajt qe e mbanin mend vendin me ladrim niseshin me gostitë vedin te rudina me bar të njome, shperblim i merituem fitue me shumë djerse e mundim…
Mbasandej na para se me çilë barrët e shkarkueme e ldirshim truellin mbrenda stanit e oborrin perjashta, i merrshim nji ka nji lugjtë e mblojes që i kishim lanë te streha e kershit mos me i fshi otergjet edhe e mblonim stanin…per punë minutash stani i shkrete e i braktisun shndrrohej dhe mbushej me jetë si mbushen me sythe e njomëz deget e lisave ne pranvere…Stani gjallnohej nga njerezit…pa u mblue krejt stani Nana ndizte zjermin ne votren perjashta ne oborr te stanit e tymi me dukej sikur vallzonte nji valle te hareshme mireseardhje…Si femije e adhuroja këtë moment – sa vndohej mbloja me lugj e stanit dhe tymi vallzonte përreth tanë shend, ai grumbulli i gureve shndrrohej ne strehëz familjare – shndrrohej në Shpi. Ne markëz vndoheshin çullat e sexhadet, teshat shtrojë e mblojë e qe ku ishte gati shpia-streha jone per muejtë e verës. Edhe ateherë si fmije e dijshe pse e adhuroja aq shume ate dite te ngjitjes ne Bjeshkë…sepse atë ditë e perjetoja ma kjartë se askund tjetër se çka do me thanë votër famijare. Votër familjare asht kudo ku asht familja…nuk asht ndertesa qe e ban votrën familjare por janë gjindja…pjesëtarët e familjes. Me e kuptue ate gja mjaftonte me pa ate shnderrim te stanit nga nji grumbull gurësh të paluem – në nji votër të ngrohte, plot jetë e gjallni që ia jepte prania njerezore, zanat e femijeve, kuvendimi me za te nalte i te rritunve, trokaçat e kumonat e gjasë se gjallë, e kercituna e sakicës ka shkurtonte drutë, fishkllimat e çobanit ka u bëza gjasë, e lehuna kumbuese e qenve te stanit, e lehuna e veçante e Sharovit qe ushtonte dhe kthehej mbrapa ne jehone nga shkambinjtë perreth…e ne fund mbi tana melodia e fyellit që i binte permallshem baci plak…baci ishte i sertë e fliste pak dhe mue me dukej se me anë te fyellit ai shprehte ngazellimin e vet, nuk donte me e dhane veten ne sy te fmijeve apo tjereve ma te ri se ai, por melodia e permallme e fyellit te tij shprehej krejt kjarte…mbasi ish mblue stani, hapë e qite vendave krejt barret e ngjituna prej vrrini, vdoheshin ne vend koritat e tamlit, ndizej zjermi ne voter e na fmia te kputun nga udha e gjata e mundimi flinim truç si zogjtë e pulës se egër në çetinakë. Ata qe e kane provue Bjeshken e dine se askund ne bote nuk flehet ma rahat e ma ambël se ne markezen e stanit shtrue me fier te njomë, përsipri asaj shtrese nji çull leshi. Edhe kur shkruej keto rreshta me duket sikur e ndiej ate amën e fierit…gjumi na zinte menjihere e na dilte heret ne nadje se na e nxirrshin rrezet e diellit qe gjanin udhen me hy ne stan permes birave te murit ba me gur te thatë…asgja nuk ka te krahasuem me magjine e atyne staneve me gurë te thate qe shndrroheshin ne votra familjare sa ngjiteshin gjindja…sot edhe në Malsi plot kanë ndertue shpia te mirefillta ne bjeshkët e veta, shpia moderne disakateshe..per mendimin tem nji sakrilegj i pashoq, perdhosje e shenjtnise se Bjeshkes…me ndertue shpia-vila ne Bjeshke asht si me i vndue flitra kullimi krojeve te bjeshkeve me ujin kristal. Por po ndodh dhe jane duke e ba…ka vite qe u rri lerg atyne soj bjeshkesh edhe kur shkoj ne vendlindje, me te dhimbtë syte kur sheh vila disakateshe ndertue ne rudina e logje zanash…sepse vilat e zhdukin magjine e shndrrimit te stanit me mur te thate në nji shpi plot jete e gjallni…se Shpinë si e thamë ma nelt nuk e bajne muret e nalta as vilat por e bajne gjindja…vila nuk asht ma voter familjare si stani – ne fminine teme kur dikush kalonte ngat telës tone na e ftonim te stani me u shplodhe e mblidheshim tane perreth me ndie lajmet nga Vrrini, kjo gja asht e pamujtun te vila moderne me panel diellor ose gjenerator elektrik, ku duhet me i ra ziles te porta e me prite derisa te jep pergjigjie i zoti…krejtiskreti si ne metropole…
Vila vetem sa thekson ma shume se votër familjare nuk asht ndertesa shumekateshe, nuk asht numri i dhomave apo luksi i tyne – voter nuk e bajne kushtet por e bajne gjindja qe e gjallnojne…Baba jem i ndjerë thanke :
-“Biro shpia ka nevoje per duhmën,(frymen), e robve te gjalle mbrenda, ajo frymon bashke me robtë e shpise…pa frymen e robve shpia nuk dallon prej vorrit.”
…Ne vitin 2000 kur jetojshe ne Londer per do kohe pata punue me dy vllazen irlandeze qe merreshin me rregullime kopshtesh te vilave te pasanikeve …nji rast shkuem me ba nji pune ne nji vilë në Epping Forest në periferi të Londres…punuem nji jave aty edhe nga personi qe u mor me ne mesuem se villa ishte prone e kangtarit Rod Stewart…Te ngazllyem na i thame :
-“A asht ketu?”
Personi qe u mor me ne tha :
-“Jo nuk asht ketu…une jam menaxheri i kesaj prone te tij dhe kam 12 vjet ne kete pune…po bahen vite qe as me ardhe nuk ka ardhe ketu kangtari. As une vete nuk e kam takue ndonjihere… jo vetem qe nuk e kam takue por as fole me te…tanaherat flas me agjentin e tij per financat.”
E kqyrshe vilen e madhe me 10 hektare toke te veten rreth e perqark, nji idilë si me qenë pikturë…bosh, shkretë pa asnji shenjë jete…deri edhe zogj nuk ndiheshin kund asajt…e mu paten kujtue fjalet e Babës tem se si shpia pa gjind nuk dallon prej vorrit…