Categories
Uncategorized

“letra nga shpija”

Xhabir TABAKU

ishte ftohë, shumë ftohtë atë funddimër… moti erdh e u zbut ngadalë dhe retë zbritën poshtë të vdekuna. gri e njëtrajtshme. ishte buzëmbramje kur po kthehesha nga puna e një frikë më kaploi. frikë e pakuptim. por frikë gjithsesi. me gomën e parë të biçikletës sime të vogël shtyva me mundim kapakun e stërmadh të derës së oborrit. trokita me shpejt dorezën e vjetër metalike mbi pllakën e hekurit. yt at largoi koltrinën e dritares dhe mbështeti hundën mbi xhamin akull. as një as dy, mbërriti me vrap. hoqi me vrik çantat nga timoni i biçikletës, i vërtiti më njërën dorë dhe me tjetrën zu timonin. e hoqi biçikletën zvarrë ngadalë, deri te ahri.

***

zjermi në shporet bubulonte. ” eshkë – eshkë e mbajnë flakën drutë e lisit” foli gjyshja jote me buzën gaz duke ba më kambë. “hallall bakshishi Selimit … na, ulu pak në minder pranë shporetit e merr një t’nxeht!” – foli ajo tek shtyu pak më poshtë duke përzier mjaltin në filxhanin e çajit.Yt at na shihte i qetë tek bisedonim me njëra – tjetrën dhe dridhte cigaret për të nesmen. -Ç’i ke gjitha këto o burrë? “Mot bore” -foli ai shkurt. “nesër do kena shumë borë”.- zogjt janë ulë poshtë, foli gjyshja, retë u lëmuan e t’ftohtit u ba tamam për borë. Zot hajr!kaq foli plaka e mirë e hovi në kambë. “naten e mirë, ju rujt Zoti!” hodhi hapat e lehtë kadalë – kadalë drejt odës së gjumit e lehtë si pupla.- kena pak mish të thatë dhe groshë, foli yt at, -ta shtrojmë tavolinën? thek dy a tri rriska bukë! u ngrit pa pritur përgjigje…

***

kisha të ftohtë si duket dhe u zgjova duke u dridhë. shpresoja të ishte pranë agimit. por jo, ishte veç pak mbas mesnate. u ngrita të shtoja edhe një batanije. më zu një dhimbje beli. e fortë. si gjylpana. u ula mbi minder pranë shporetit që ende ruante ngrohtësinë. m’u përzi. u ngrita me vrap por s’e kapa banjën e volla. volla disa herë rresht. u çua yt atë. më zu shpatullat e më mblodhi pranë vedit. butë – butë duke pëshpëritë ambël në vesh. – nuk ke gja. ka me t’kalue. më puthte ngadalë mbi ball e në flokë… n’dashtë Allahu kësaj here djalë. ndala frymën. as që e shkova në mendje më parë. fare. një lamsh i nxehtë mu pështoll në bark e u ngrit nalt drejt krahënorit. qafa, fytyra e sytë m’u ndezën. mbështeta faqen mbi gjoksin e t’yt eti e i fola ngadalë ashtu e kapur për beli: -djalë e kemi… djalë.

***

qe, si të ndjeva së pari shpirti i nanës. më ka tha malli. e kam ruejtë këllefin e jastekut tand e i marr erë tasheparë.të puth nana.

Leave a comment