Categories
Uncategorized

“Ikanake”

Xhabir TABAKU

Na që u rritëm në të tetëdhjetat
rrugëve të Shqipnisë të shtypur-fukara;
na, që ikëm me shansin e parë
që na u dha
provuam shijen e athët të bodrumeve-
…urinë stadiumeve
lotët në prehër

e gjumin rrugëve në perendimin e ftohtë
lirie premtuar.

Na – emigrantat e fundit të mileniumit.

Na që u rritëm pa bukë në bark, fëminisë
vorfnore,
kurr nuk kthejmë ma n’Atdheun
ku lemë – bij nanash gji-thata
baballarësh të heshtur
që veç shkëlqimin e syve
e dorën shpinës, nuk patën tjetër
për fëmijët e vet me dhanë.

Na,
që rrnojmë rrugëve të botës,
lindim fëmijë maternitetesh
me ikona t’panjohura
kryqëzuar,
kundërshtojmë sa mundim tjetërsimin-
s’mundena…

Nuk kthehena ma n’Atdheun tonë…

Na,
kapërcyelli i kohnave të liga,
të huaj rrugëve të botës – të huaj në shtëpi
që përditë harrojmë nga një fjalë shqip-
jena brezi i humbun i kombit tonë…
Na nuk jetojmë tokës,

as qielli
nuk na mban.

Malli,
e vetmja mënyrë komunikimi
me fëmininë…
Heshtja,
e vetmja hakmarrje që kryem;
akt pasiv njerëzish frikacakë

q’as fjalën nuk e thamë me za të naltë;
trimnisht që nuk jetuam asnjë ditë
e tiraninë pranuam dhambshtrënguar,
poshtëruar.

Na, do vdesim penduar
që nuk e kryem detyrën
karshi Atdheut,-ikëm!
Ikanakë, vetanakë …

Na kem’ humbë përjetë.

Na,
nuk kthehena ma – na vjen turp.
Rrugëve të dynjasë me krye ulur e çantë shpinës
do e shtyjmë.
Të përmalluar për vendin
do na zajë nata.

Natë e gjatë… njerëzish pa Atdhe.

Leave a comment