Categories
Polis

Po të ishte yt bir, …do thoje të vërtetën!

Ardian MUHAJ

Po të ishte yt bir
kishe me e mbushë detin me anije
të çdo lloj flamuri
.

Kishe dashtë që të gjithë bashkë me miliona me ndërtu urën që ai me shpëtu

Po të ishte yt bir, do ishe hedhë në det,
e  kishe vra peshkatarin që nuk ta dha barkën,

Kishe piskatë me kërku ndihmë,
kishe me trokitë dyerve të qeverive…
Por rri i qetë, ne shtepine tende te ngrohte,
nuk asht yt bir
, nuk asht yt bir.

Mundesh me fjetë i qetë
E mbi te gjitha i sigurt.
Nuk asht yt bir.
Asht thjesht fëmija i humanizmit të humbur,
i humanizmit të ndytë, që nuk bëzan.

Nuk asht yt bir, nuk asht yt bir.
Flej i qetë,
nuk asht i yti.
Ende jo…

(Sergio GUTTILLA)

Janë këto vargje të poetit që u përhapën para ca vitesh kur u dukën pamjet e fëmijëve sirianë të mbytur në breg të detit. Jashtëzakonisht prekëse. Tejet të sakta e therëse për shumicën e njerëzve. Me përjashtim të atyre që nuk u dhimbsen fëmijët e as refugjatët, por idhujt e tyre politikë-mitikë.

Edhe përpara atyre pamjeve të tmerrshme, jashtëzakonisht prekëse nuk guxojnë ta thonë të vërtetën. Nuk guxojnë e madje as nuk duan ta thonë se burimi i krizës siriane asht regjimi kriminal i dinastisë kriminale të asadëve, pushtues të vërtetë të nji vendi që kurrë nuk i deshi dhe kurrë nuk e deshën.

Asht karrigia e pushtetit ma e shtrenjtë në historinë njerëzimit në dekadat e fundit. Ruajtja e karriges së pushtetit të dinastisë kriminale të asadëve, i ka kushtuar Sirisë mijra vjet trashëgimi kulturore të humbur përgjithmonë, miliona të vrarë, dhjetra miliona refugjatë, miliona jetima. Kurse botës, i ka kushtuar triliona dëm ekonomik, e pafund dëm moral e emocional.

E ti, vazhdon të mos e thuash të vërtetën…!

Leave a comment