
Amel KOVAČEVIĆ
Drejtor i Bankes se Bashkuar te Shqiperise (UBA)
Z. KOVAČEVIĆ, si i shihni mundesitë dhe situatën ekonomike post-covid për Shqipërinë?
Tkurrja ekonomike e shkaktuar nga pandemia e Covid-19 është një fenomen global që nuk ka asnjë precedent në historinë moderne. Pasojat për njerëzimin do të jenë të shumta dhe do të zgjasin në kohë. Një gjë është e sigurt, që asgjë nuk do të jetë si më parë. Ne kemi hyrë në një epokë e cila ka karakteristika, ligje, kufizime dhe mundësi krejtësisht të reja. Mënyra se si ne po e zhvillojmë jetën tonë private, metodologjia e punës, zakonet e klientëve tanë, formojnë modelin e ri ekonomik që do të zëvendësoje strukturat ekzistuese në fuqi. Ne duhet të kuptojmë së pari se çfarë po ndodh dhe më pas të përcaktojmë strategji të reja për mbijetesën në planin afatshkurtër dhe mirëqënien në planin afatgjatë, të cilat do të na drejtojnë si individë, si subjekte biznesi dhe si shoqëri në tërësi. Mundësitë e suksesit tonë janë të lidhura ngushtë me aftësitë tona, prirjen për të ndryshuar dhe deshirën për të mësuar aftësi dhe teknologji të reja.
Megjithatë unë jam optimist për Shqipërinë, pasi ajo ka një pozicion gjeostrategjik të shkëlqyer, burime natyrore të favorshme, burime njerëzore dinamike dhe nevoja për zhvillim të konsiderueshme. Çelësi i suksesit për Shqipërinë janë reformat strukturore, përqëndrimin e financimeve te qeverisë në shndërrimin e shoqërisë në situatën post-covid, mbështetjen aktive për sektorin vendas të korporatave në ngritjen e përparësive konkuruese globale dhe zgjidhjeve inteligjente për zëvendësimin e importit.
SI MUND të përfitojnë vende të vogla si Shqipëria në situatën e krijuar nga pandemia e Covid-19?
Një nga mësimet e pandemisë së Covid-19 është që vendet e zhvilluara janë gjendur në situatë të pafavorshme, për shkak se i gjithë prodhimi ishte i përqëndruar në vendet në zhvillim në Lindjen e Largët. Lajm i mirë për vende si Shqipëria, që janë në afërsi të tregut evropian, është se vendet e zhvilluara do të marrin në konsideratë parimin e “Nearshoring” ndryshe nga parimet e minimizimit të kostos.
“Nearshoring” është praktika e transferimit të operacioneve të një biznesi në një vend të afërt, duke e preferuar atë ndaj një vendi më të largët. Ne tani duhet të jemi mjaftueshmërisht proaktivë dhe të zgjuar, për të tërhequr këto industri migratore në Shqipëri. Është thelbësore për Shqipërinë, që të sjellë këto investime këtu. Nëse 5% e kapaciteteve industriale evropiane kthehen nga Lindja e Largët, të gjitha vendet e Evropës Juglindore do të kenë lehtësisht punësim të plotë. Një tjetër mundësi, mund të jetë mbështetja për zhvillimin dhe forcimin e industrive krijuese, që mund të krijojnë punësim për brezin e ndritshëm të profesionistëve të rinj shqiptare, të cilët mund të punojnë për tregun ndërkombëtar me paketa konkurruese shpërblimesh. Kjo do të ndihmojë në zvogëlimin e trendeve të pafavorshme demografike.
Gjithashtu, ekziston një potencial i madh zhvillimi në sektorin e turizmit. Duke pasur parasysh normalitetin e ri të post-covid, produkti turistik duhet të projektohet në mënyrë të tillë që të plotësojë nevojat e reja të klientëve të vjetër. Shqipëria është e bekuar me tokë pjellore dhe klimë mesdhetare, faktorët kryesor më të nevojshëm për ta bërë Shqipërinë fuqi rajonale të prodhimit ushqimor. Ajo çka mungon është integrimi i biznesit të prodhimit ushqimor me përdorimin e teknologjisë së avancuar dhe zgjidhjeve inteligjente, për të përfshirë të gjithë palët e interesuara. Integrimi vertikal i biznesit agro nga fermat në restorante dhe tryezat e shtëpive kërkon zgjidhje sistematike, në të cilën sektori privat dhe publik kanë rolet e tyre përkatëse. Me modesti ne besojmë, se Banka e Bashkuar e Shqipërisë mund të kontribuojë në zbatimin e këtyre nismave ekonomike.
CILI është segmenti i tregut dhe produktet që ju besoni se UBA mund të jetë konkuruese në një të ardhme të afërt?
Udhetimi i Bankës së Bashkuar të Shqipërisë përmes epokës post-covid ndiqet njëkohësisht nga transformimi i plotë i bankës, duke synuar përftimin e një institucioni të rinovuar financiar, të pajisur me atributet e nevojshme për kohën e normalitetit të ri. Qëllimi ynë është të krijojmë vendin tonë unik në treg duke ofruar produkte dhe shërbime financiare inovative, qe do te arrijne kenaqesine e dëshiruar të klientëve. Me gjithë ndryshimet në mjedisin tonë, duke përfshirë teknologjinë, trendet demografike dhe të sjelljes, Banka e Bashkuar e Shqipërisë do të zgjedhë me kujdes paketën e saj të produkteve që do t’i shërbejë shoqërisë në përgjithësi dhe do të sjellë përfitime për të gjitha palët e interesuara. Ne besojmë se ekziston një hapësirë e madhe për përmirësimin e ofertave bankare në tregun shqiptar veçanërisht në fushën dixhitale, por edhe në zgjidhjet jashtë kuadrateve të përdorur nga partnerët tanë në teknologji dhe biznes. Fokusi ynë do të jetë segmenti Retail dhe krijimi i ekosistemit për bizneset mikro dhe te vogla . Filozofia jonë është të krijojmë partneritet dhe vlera të shtuara midis klientëve tanë të biznesit, të cilët preferojnë praktikat etike të biznesit. E gjitha kjo ka të bëjë me sinergjine.
ÇFARË mund të bëjë mënyra e financimit Islamik për Shqipërinë dhe cili është roli i UBA?
Financimi Islamik është një segment relativisht i ri i botës financiare, i cili ka rritje vjetore marramëndëse. Ai plotëson nevojat financiare të të gjithë individëve dhe bizneseve pavarësisht nga besimi fetar, por që i përmbahen parimeve etike financiare dhe investimeve, si dhe konsideron ndikimet sociale dhe mjedisore të investimeve dhe financimeve të tij. Kjo ka të bëjë me ndikimet sociale dhe mjedisore të investimeve dhe financimeve, përgjegjësisë shoqërore të korporatave, tregtisë së drejtë, konsumizmit etik, mbrojtjes së mjedisit, qëndrueshmërisë, financimit pa fajde, gjithëpërfshirjes, solidaritetit dhe meritokracisë. Ne besojmë se mund ta bëje botën në përgjithësi dhe Shqipërinë në veçanti një vend më të mirë për të gjithë. Misioni i UBA është të mbajë pishtarin e këtyre parimeve fisnike në tregun financiar shqiptar. Për më tepër, UBA shpreson të kanalizojë investimet në sektorët e zhvillimit të infrastrukturës, prodhimit dhe përpunimit të ushqimit, turizmit dhe në zëvendësimin e importit. Aksioneri kryesor i UBA është Banka Islamike e Zhvillimit (IsDB), një organizate shumëqeveritare zhvillimi, e cila ka rekorde zhvillimi mjaft mbreselënëse në Shqipëri. Jane gjithsej 41 projekte të financuara nga IsDB me një kosto totale prej 606.4 milione USD. Gjithashtu, për tërmetin e vitit 2019, vlera financiare e angazhimit të IsDB-s arrin në 415 milion Euro, nga të cilat 365 milion Euro në investime në kredi financimi për projekte dhe programe të suksesshme nësektorët e shëndetësisë, arsimit, strehimit social, infrastrukturës etj. gjatë 5 viteve të ardhshëm, si dhe 50 milion Euro në financimet e rimëkëmbjes së biznesit. Në tërësi, financimet në Shqipëri që nga viti 1995 arrijnë 1,0214 milion USD. Banka e Bashkuar e Shqipërisë shërben si një urë lidhëse midis Bankës Islamike të Zhvillimit dhe Republikës së Shqipërisë, e cila identifikon nevojat për zhvillim dhe mirëqënie sociale në Shqipëri dhe propozon e implementon projekte ndërsa kanalizon fondet e IsDB në Shqipëri. Prezenca e IsDB si aksionere në UBA, do të thotë stabilitet financiar dhe akses në rrjet. Si CEO, cilat janë 3 shqetësimet lidhur me të ardhmen e bankës që të mbajnë zgjuar natën? Pranimi i përgjegjësisë për të qënë CEO në kohën e një pandemie globale , ngre një numër shqetësimesh por gjithashtu edhe mundësish. Shqetësimi im i parë tani është nëse do jemi aq te shpejte të dixhitalizojmë proçeset bankare dhe ndërveprimet me klientët tanë, përpara se të përfundojë kaosi i Covid-19. Në anën tjetër, ekziston një mundësi e shkëlqyer për Bankën e Bashkuar të Shqipërisë për të ofruar shërbime më të mira ndaj klientëve dhe për të përmirësuar pozicionin e saj.
CILI është mesazhi juaj për vitin 2021 dhe cilat do të jenë sfidat kryesore për bankat?
Do të na duhet të lundrojmë përmes pasigurisë së kohës pas Covid-19. Viti 2021 do të jetë shumë sfidues për sektorin bankar dhe klientët. Duhet të punojmë fort për të ndërtuar bazat për mirëqënie dhe qëndrueshmëri të ndërthurur me maturi, krijimtari, fleksibilitet dhe solidaritet për ne dhe klientët tanë. Ne duhet të identifikojmë pikat e forta dhe potencialet e klientëve dhe partnerëve tanë, në mënyrë që t’i forcojme ato. 2021-shi, do të jetë një vit solidarizimi me prodhuesit shqiptare, tregtarët, ofruesit e shërbimeve, klientët, punonjësit, dhe në veçanti me ata që janë në nevojë. Mbrojtja e jetës dhe vendeve të punës, duhet të jenë prioritetet tona të përbashkëta për vitin 2021.
Burimi: monitor.al