
Ergys MËRTIRI
Rrëzimi i marksizmit përbën një rast krejt të veçantë, thotë Ernest Gellner. Ndryshe nga ç’ndodh në përgjithësi me fetë, – të cilat rëniet i kanë graduale, ndërkohë që mbetet gjithmonë një grup që lufton deri në fund për ta mbrojtur – komunizmi u shemb për një ditë, dhe askush nuk u ngrit t’i dilte për zot. “Kurrë ndonjëherë nuk ka patur ndonjë anije që fundoset, e cila të braktiset me aq gatishmëri e unanimitet”. Madje edhe “nomenklatorët e vjetër, me një shpejtësi të pabesueshme dhe tmerruese, u kthyen në shovinistë dhe kapitalistë-oportunistë”.
Arsyet mund të jenë të shumta, por ka diçka thelbësore pse “fesë së parë botërore laike i mungonte aq haptas këmbëngulja dhe aftësia për të lulëzuar”. Kjo ka të bëjë me natyrën e tij të kultit. Ndryshe nga çdo fe, thotë Gellner-i, marksizmi nuk shenjtëron dashurinë, por punën. “Ikonat e këtij besimi gdhendin shenjtërinë e punës dhe të punëtorit, të shaluar në ndenjëse të traktorit, me muskujt gufuar nga përpjekjet prodhuese”.
Kjo shpjegon edhe kriminalitetin e sistemit komunist dhe indiferencën kolektive ndaj krimeve të ethshme. Në shërbim të një kulti që nuk ka asgjë mbitokësore, ku imanenca përmbushet plotësisht tek materialja, krimi zhvishet nga dimensioni transcendental. Ai fiton legjitimitet moral në emër të revolucionit që na shpie në tokën e premtuar. Dhuna dhe vrasja kthehen thjesht në mjete strategjike të vlerësuara në një logjike instrumentale.
Kjo e bën të tmerrshme dhunën revolucionare, e cila sipas Albert Camus, prodhon gjithë egërsinë e krimeve të kryera në emër të arsyes. Arsyeja, thotë ai, qëndron mbi skrupujt dhe çliron tërbimin. Revolta është një askezë në kërkim të një shenjtërie në kushtet e mohimit të realitetit dhe krijuesit të tij dhe blasfemia e të revoltuarit bëhet në emër të shpresës për një zot të ri. Por, duke dashur të krijojnë botën e tyre, ata bëhen të kobshëm pasi zgjedhin rehatinë e tiranisë. Të gjithë ata që u ngritën kundër krijuesit, thotë Camus, kanë afirmuar vetminë e krijimit dhe kotësinë e çdo morali. Ata nuk arrijnë ta ndërtojnë dot botën e re, por vetëm burgun e tyre.
Duke iu referuar lëvizjeve ruse të fundshekullit XIX dhe impaktit të tyre në atentatet politike në Europë, Camus vëren se si nihilizmi i përzierë me revolucionarizmin përfundon në terrorizëm. Njerëzit gjithmonë janë flijuar për gjëra që i kuptojnë, por nga ky moment kemi një dukuri të re. Ata fillojnë të flijohen për diçka, për të cilën nuk dinë asgjë: e ardhmja. Ai vëren plot habi sesi revolucionarët sakrifikoheshin duke e gjetur ngushëllimin tek drejtësia e njerëzve që do të vijnë më vonë. Ardhmëria, sipas tij, është transcendenca e vetme për njerëzit pa zot.
Sipas Gellner-it, terrori masiv nuk i shkatërroi themelet e këtij besimi të ri; përkundrazi e konfirmoi atë, pasi një transformim aq i thellë i gjendjes njerëzore sa ç’ishte marksizmi duhet të shenjtërohej me gjak. Ajo që shkatërroi bindjen kolektive, ishte mjerimi ekonomik i viteve të Brezhnievit. Ajo që e bëri besimin të avullojë ishte pikërisht mjerimi i marrëdhënieve të punës, gjë që në fetë e tjera i korrespondon korruptimit të klerit. Pra, prej këtej mund të themi se feja e punës u rrënua në zemër të kultit të saj. Ajo provoi që zoti i saj ishte i rremë, ndaj dhe u shemb rrëmbyeshëm pa lënë pas asnjë besimtar.
Kështu, komunizmi u shemb pasi ishte shuar më parë çdo shpresë për një të ardhme të ndritur. Çdo sakrificë e shpenzuar në emër të tij u bë e kotë dhe madje një kontribut për mjerimin ekzistues. Komunizmi ishte një eksperiment që rezultoi i dështuar dhe një bast i humbur si mos më keq. Kjo i bëri besimtarët e tij ta braktisnin besimin, ndonëse vetë sistemi mbijetoi edhe për shumë kohë nëpërmjet dhunës. Procesi i rrëzimit u bë më pas një formalitet, kur vendet socialiste ranë njëra pas tjetrës, pasi në thelb ai ishte rrëzuar që herët në ndërgjegjen e besimtarëve.
Por, sidoqoftë, komunizmi vijon të mbetet ende një tundim i pashlyeshëm. Ringjallja e tij, në forma të reja, tregon se operacioni nuk ka qenë i plotë dhe rrënja e tumorit nuk është hequr. Kjo bëhet edhe më e ndjeshme në Shqipëri, ku fara e tij është ngulur thellë te shumë njerëz. Ky fenomen shfaqet në forma të ndryshme, qoftë nëpërmjet cinizmit nostalgjik te trashëgimtarët e enverizmit, qoftë nëpërmjet narcizmizmit ideologjik në disa grupe të rinjsh radikalë, në përpjekje për të fituar vëmendje publike. Impulset totalitare nuk janë shlyer nga mendësitë e njeriut modern, dhe, siç thotë Breht, “barku që e polli, nuk është shterpëzuar”.
Të plotë: Revista Medius