Categories
Uncategorized

Beteja e Çanakalesë dhe konteksti i ndërlikuar shqiptar e ndërkombëtar.

Ardian MUHAJ

Sot përkujtohet simbolikisht fitorja osmane në betejen e Çanakalase ose Galipolit. Kjo fitore e ushtrisë osmane përveç domethenies që ka për historinë e mëvonshme të shtetit turk, shënoi edhe herën e parë në një shekull luftra në Ballkan, kur fitorja e një pale nuk shoqërohej me masakra mbi popullsitë civile.

Lidhur me praninë e forcave shqiptare në vijën e llogores osmane në këtë betejë, ku edhe shumë ranë dëshmorë duhet të kemi parasysh kontekstin e kohës përpara se të flasim për shqiptarë që luftonin për një shtet të huaj, apo për shqiptarë që luftonin për shtetin e tyre.

Duhet të kemi parasysh se Kosova dhe një pjesë e Shqipërisë së veriut ishin nën pushtimin serb që prej tetorit 1912. Pjesmarrja e trupave vullnetare shqiptare, kryesisht nga Kosova në këtë beteje vendimtare, së pari shmangu mundësinë e rekrutimit të atyre shqiptarëve në ushtrinë serbe që po luftonte kundër forcave austro-hungareze, pra pikësëpari ishte dezertim nga rekrutimi i dhunshëm dhe inkuadrimi me forcë në ushtritë e armikut serb kundër aleatëve austriakë.

Nuk duhet harruar se shumë shqiptarë ishin larguar për t’u shpëtuar masakrave serbe e po ashtu shumë të rinjë shqiptarë për t’iu shmangur rekrutimit me forcë në ushtrinë serbe. Pjesmarrja vullnetare e shqiptarëve në Çanakala, nuk e ndryshoi qëndrimin neutral të shtetit të sapoformuar shqiptar ndaj palëve ndërluftuese, dhe ajo që është më e rëndësishme ua la shtegun e hapur shqiptarëve të Kosovës, të pushtuar e të masakruar nga shteti serb, që të kenë mbështetjen e pakursyer të shtetit të ri turk që do të niste të ngjizej në Çanakala.

Dy ngjarjet në të cilat shqiptarët treguan zgjuarsinë dhe shpirtmadhësinë e trashëguar ndër shekuj dhe që patën rezonancë ndërkombtare, por të cilat fatkeqësisht nuk i kuptojmë ose i keqkuptojmë, janë trajtimi njerëzor i ushtrisë së shpartalluar serbe gjatë tërheqjes së saj drejt Mesdheut, përkundër genocidit të ushtruar prej tyre në luftrat Ballkanike dhe kontributi i vullnetarëve shqiptarë në betejën e Çanakalesë.

Historiografia dhe diplomacia shqiptare asnjëherë dhe aspak nuk ka ditur t’i vleresojë këto dy ngjarje në favor tonin edhe pse në arenën ndërkombtare vlerësohen si nga miqtë ashtu edhe nga armiqtë e shqiptarëve.

Vetë konteksti ndërkombtar i kohës ishte kaotik dhe ekzistenca e shtetit shqiptar ishte vënë në pikëpyetje nga vetë fuqitë e mëdha që e kishin pranuar në vitin 1913. Kështu vetëm dy vite më vonë dhe në kohën e betejës së Çanakalasë, në prill 1915, në Londër nënshkruhet një marrëveshje mes Francës, Britanisë, Italisë dhe Rusísë, sipas së cilës, Italísë i njihet e drejta e njëfarë protektorati mbi Shqipërinë dhe shteteve fqinje, u njihet e drejta që të rishqyrtojnë kufinjtë e caktuar në vitin 1913 në Konferencën e ambasadorëve në Londër.

Nisja e Luftës së Parë botërore në gusht 1914 dhe problemet e papërballueshme e kishin shtyrë edhe princin e njohur ndërkombëtarisht Vilhelm von Vied të braktisë fronin dhe të drejtat e tij e bashkë me to edhe shtetin e sapokrijuar shqiptar. Në këtë periudhë Ismail Qemali kishte dhënë dorëheqjen me kohë dhe ishte larguar nga Shqipëria. Forcat shumëkombëshe të caktuara për administrimin e Shqipërisë nën emërtimin Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit e kishin detyruar Ismail Qemalin të japë dorëheqjen duke përdorur si justifikim të ashtuquajturin komplot të Beqir Grebenesë oficer xhonturk me origjinë shqiptare ku ishin përfshirë edhe një numër oficerësh e ushtarësh shqiptarë, i cili premtonte me gjasë një autonomi të Shqipërisë me katër vilajete. Për pasojë më 22 janar 1914 Ismail Qemali zyrtarisht e pushon veprimtarinë e qeverisë së Vlorës duke ia kaluar kompetencat forcave shumëkombëshe të Komisionit Ndërkombtar.

Që rasti i Beqir Grebenesë u përdor vetëm si presion ndaj Ismail Qemalit për t’i hapur rrugë ardhjes së princit të huaj vërtetohet edhe nga fakti se KNK i kërkoi të njëjtën gjë edhe figurës tjetër me peshë në politikën shqiptare të kohës Esat Toptanit. Pas dorëheqjes së Ismail Qemalit dhe Esat Toptanit tashmë shuhej çdo institucion politik vendas shqiptar dhe krijoheshin kushtet për ardhjen e princit Viedit, i cili mbërrin në Durrës në 7 mars1914.

Ndërkohë që Ismail Qemali për shkak të moshës edhe për shkak të akuzave të mësipërme nuk merr pjesë në qeverinë e princ Viedit dhe largohet nga Shqipëria, Esat Toptani ngarkohet me postin e Ministrit e Punëve të Mbrendshme dhe të Luftës (Mbrojtjes). Këto kompetenca Esat Toptani përpiqet t’i mbajë edhe pas largimit dhe braktisjes së fronit nga princ Viedi, duke përfaqësuar të vetmën forcë politike shqiptare në krejt trojet shqiptare, edhe pse nuk mundi ta shtrinte pushtetin e qeverisë shqiptare në pjesën më të madhe të vendit, madje as në Shkodër, Dibër, Mat, e Lumë.

Nisja e Luftës së Parë Botërore e ndërlikoi edhe më shumë situatën. Braktisja e fronit nga princ Viedi, u pasua në 29 dhjetor 1914, me zbarkimin e ushtrisë italiane në Vlorë dhe pushtimin e saj.  Në fillim të vitit 1915 pra, krejt trojet shqiptare ishin nën sundimin e pushteteve të huaja, ndërkombtarë dhe të shteteve fqinje, me përjashtim të një zone të ngushtë mes lumit Mat e Seman ku ushtronte pushtetin e vet qeveria shqiptare që formalisht vazhdonte juridiksionin e princ Viedit. Edhe Esat Toptani, një vit më vonë pasi i shpalli luftë Austro-Hungarisë më 1 prill 1916 u largua përfundimisht nga Shqipëria për t’u përfshirë në rrjedhat e Luftës së parë Botërore në krah të forcave të Antatës që në fund edhe doli fitimtare.

Përshkrimin e situatës kaotike ku gjendej Shqipëria dhe shqiptarët në vitet 1913-1914 na e jep shkurtimisht Tahir Kolgjini:

A) Gjymsa e Shqipnís, mbeti në robní, tue iu këputun atdheut. Kësaj pjese iu vu në rrezik, jeta, nderi dhe pasuníja.

B) Gjymsa tjetër e Shqipnís, pjesërisht, kishte mbarue, tue u bamë shkrum e, pjesërisht, ishte tue u kacafytun me shpirt ndër dhambë.

C) Turkíja fillon propagandën e saj me premtime të gjana e tërhjekëse, propagandë, së cilës turmat shqiptare n’atë kohë, i besojshin.

D) Shtetet anmike të Ballkanit, dhe këto, me nji mjeshtri të hollë venë në lëvizje propagandën e tyne helmuese, për të shkaktue sa ma tepër ngatrresa në Shqipní e për t’bâmë gjendjen kancer.

E) Shtetet e mëdhaja, se cila, ndiqte nji drejtim të veçantë në trajtën qi iu përshtatej interesave të veta…

Leave a comment