
Arshi PIPA
-fragment
I
Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamás mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.
Mbramje. Dikush përbrî qet gjak për goje.
Këndon letas mbatanë nji fmí arxhiu.
Ky grindet për pakë uj që shoku i piu;
ai shán se i vodhën bukën. Hŷn nji roje.
Shkopinj e shqelma. Britma. Frŷn bilbili.
Pushim. E dergjet lodhje, prân secili,
e flên kush mundet për at natë me fjetë.
Si lazaret rënkon e fshân baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
veç atyne që i pret nji vorr i shkretë.
II
Rreshtohet puntorija: ndahet çorba:
dy-trí patate që vozisin n’uj.
E shtrîhen duert e dridhshme… Por shumkuj,
pse normën nuk e kreu, s’i njomet vorba.
Ky ngjyen bukën me krypë, ai nji këpujë
qepe qëron. E shkunden xhepa e torba.
Për nji fundrrí kazani mu si korba
t’etshëm mbi kërma sulen me rrëmujë.
Mbasdreke. Diell. Tash lahen, hjekin llucën
nga kofshët; terin petkat; ngjesin arna.
Dikush morritet. Njeni zien do barna;
si shtesë për darkën; tjetri qepë këpucën.
Nji profesor me syza vetullçil
Bythça duhani mbledh e i ban fitil.
III
A mund të quhen njerëz? Qe, shikoj.
Fytyra dheu ku sŷt e shojtun ngrohen
kur shofin bukën; faqe që gropohen
e nofulla që dalin si patkoj.
Kambët s’i mbajnë e krahët u rrëzohen.
Si dordoleca lkunden që vendoi
mbi hunj kopshtari. Njerëz kta ksijoj?
Shauretën janë që nga vorrezat çohen.
Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi,
automa kockash, nji bërsí, nji pleh,
ku veç prej emnave dallon e njeh
bujkun nga beu, tregtarin nga dervishi,
kusarin, simahorin, lakanderin
prej atdhetarit që luftoi për nderin
IV
Por eja tash e shifi ndaj kanalit:
Njimijetreqind vetë, nji mizërí.
Lopata e bela tunden me furí
e qerrkat mbarin plisat e moçalit.
Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri.
Qofsh babagjysh qi ke djalin e djalit,
a qofsh i smundë sa dalun prej spitalit,
bani ja vdis: ankimi s’ban dobí.
Shef të gjymtuem e pleq ngarkue mbi shpina
dhogat e randa e qerrkat mbi kaptina,
qi binë e ngrihen e zvarnisen krrut.
U mshon polici me dajak sa mundet.
Por ndodhë sa herë qi njeni sish nuk tundet.
Me vig e çojnë e vigu mbrrîn tabut…
(vijon)
Kamp i Vloçishtit, Korçë
Korrik-Nanduer 1948