
Xhabir TABAKU
Kur t’shkoj n’Shkodër,
do e shëtis natën m’kambë
qytetin anembanë.
Do i bi livadheve tërthor’
do lahem te fiqt’ në Bunë,
do e pres lumin n’Dajlane,
dallnyshë gjoksin Drinit t’ia rrasi
nga kambt e urës n’Bahçallëk:
e kafenë e mëngjesit diku ul’ në trotuar
ta pi me ‘i fukara.
Mandej malin do marr –
nga Taraboshi nalt
me ashk Shkodrën ta kundroj.
Akshamin do e fali te xhamija e Parrucës.
Kur t’shkoj n’Shkodër,
do ndjehem i huaj,
pa familje, pa shtëpi.
Ku ka qenë shtëpia ime tash asht ngritë një
pallat,
kojshitë s’janë ma.
Do jan’ hallakatë si gjethet në vjeshtë,
do tjerë fëmijë i lashë,
tash burra jan ba, a gra.
Vetmitar në qytetin tim…
Kur t’shkoj n’Shkodër,
a s’vjen me mua o mike ti?
Më ban të ndjehem ngrohtë
n’qytetin ku leva, u rrita,
por ma s’më njef njeri!
Bëhu ti Shkodra ime! – të përqaf’
e ta puth në sy.
[Poezi prej vellimit me poezi: Xhabir Tabaku, Gri, Shkoder, 2020.]