Categories
Politologji

Në Kosovë tash nji shekull gjithçka ndodh kur nuk duhet me ndodhë.

Ardian MUHAJ

Në pranverë e verë të vitit 1912 Kosova ishte në kryengritje kundër shtetit osman, kur askush në atë shtet nuk ngrinte krye. Pak muaj ma vonë në vjeshtë të po atij viti 1912 Kosova u pushtua për pak ditë nga shteti serb dhe ushtritë e tij mizore. Nuk ndodhi qëndresë e as kryengritje kur duhej me ndodhë ma shumë se kurrë.

Në mes dy Luftrave Botërore kur lufta kishte përfundu, në Kosovë  u zhvillua edhe ma e ashpër. Gjatë Luftës së Parë Botërore Kosova shpëtoi nga pasojat e luftës kur gjithë Europa po shkatërrohej.  Pas saj kur gjithë Europa po rindërtohej, Kosova po rishkatërrohej nga shteti serb i rikthyer pas lufte.

Në Luftën e Dytë Botërore kur krejt Europa po shkatërrohej sërish, në Kosovë u kthye normaliteti. Masakrat, persekutimet, dëbimet e diskriminimi serb u ndalua dhe në vend të kësaj u hapën shkolla,  rrugë, e punë.

Pas Luftës së Dytë Botërore kur krejt Europa po rindërtohej nga lufta, Kosova nisi sërish të rishkatërrohej nga “paqja” serbe. Kur në krejt Jugosllavinë trumbetohej bashkim-vllaznimi e solidariteti proletar, në Kosovë u riaktivizua dëbimi e diskriminimi.

Në vitin 1981 kur krejt Jugosllavia e Europa ishte në qetësi, Kosova u ngrit në demonstrata e kërkesa për liri.

Në 1991 kur krejt popujt e Jugosllavisë u përfshinë në përpjekjet për çlirim, Kosova u mbështoll në pacifizëm e vendqëndrim.

Në 1998-1999 kur të gjithë popujt e Jugosllavisë tashmë e kishin mbyllë luftën dhe arritë paqen, Kosova sapo nisi luftën çlirimtare.

Në mars 2020 kur gjithë bota përbashkohej për t’u përballur me pandeminë botërore të koronavirusit, Kosova përçahet për një grimë mjell pushteti politik…

Deri kur ma, bota këtej e ne andej…?!

Leave a comment