Categories
Uncategorized

Keqkuptimi rreth gjuhës standarde dhe gjuhës letrare shqipe.

Agim Morina ka studiu letërsinë dhe gjuhën shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Nga viti 1999 ka punu si mësues i gjuhës shqipe për të huaj në Londër.

Agim MORINA

Ajo që bie në sy te shkrimet për shqipen janë një varg sintagmash: “gjuha letrare”, “gjuha e unisuar letrare”, “gjuha e sotme shqipe”, “gjuha e unisuar letrare shqipe”, “gjuha standarde shqipe”… Kjo shumësi përcaktimesh sikur krijon një hutesë te ata që e lexojnë. A asht kjo punë e qartë për vetë gjuhëtarët që i përdorin këto? Ka “gjuhë standarde” në nji anë dhe ka “gjuhë letrare” në anën tjetër: a janë e njëjta gja apo dy gjana të ndryshme? A munden me ndejtë fort mirë bashkë që të dyja këto përcaktime, pa i prishë punë e duke ndërveprue gjithnjë për me e pasunue dhe me e zgjanue gjuhën shqipe?

Thelbi ësht pikërisht këtu. Gjuha standarde në çdo gjuhë ësht artificiale. Ajo krijohet dhe dizajnohet që variantet gjuhësore të mund të reduktohen në një varient të vetëm. Në “Këshilluesin e gjuhës kroate”, një grup gjuhëtarëve kroatë, e shpjegojnë mirë dallimin në mes të gjuhës standarde dhe gjuhës letrare. Ata thonë se ësht në natyrën e gjuhës standarde që ajo të ketë këto veçori: ësht  kolektive, përcaktohet me rregulla që një bashkësi detyrohet me i ndjekë, ësht denotative, ngaqë synon që të jetë sa më e njëkuptimshme, ësht e imponuar ngaqë mësohet në shkollë, ësht e normuar, shquhet me formula dhe klishe gjuhësore, përjashton arkaizmat, regjionalizmat, dialektizmat, historizmat etj. dhe ka zgjedhje të kufizuar mjetesh leksikore e sintaksore. 

Gjuha letrare, në anën tjetër, ësht vetëm një nga stilet funkcionale të gjuhës standarde, ësht individuale, e përdor një autor ashtu qysh i vjen më së mbari e më së lehti, konotative, ngaqëësht e shumkuptimshme, fut në përdorim trajta jonormative,  duke qenë se shkrimtari ësht i lirë, aj përdor arkaizma, regjionalizma, dialektizma, historizma dhe ka një zgjedhje të pakufizuar të mjeteve leksikore e sintaksore.   

Nëse e kthejmë këtë mënyrë shqyrtimi në gjuhën shqipe e kuptojmë shum lehtë këtë. Na kemi tri gjuhë letrare që janë zhvillu e ravizu historikisht: gjuhën letrare të gegërishtes, të toskërishtes dhe të arbërishtes.

Gjuha letrare e gegërishtes nis me Buzukun dhe vazhdon me Budin, Bardhin, Bogdanin, Vaso Pashën, Ndoc Nikajn, Konstandin Kristoforidhin, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Filip Shirokën, Gjergj Fishtën, Migjenin, Haki Stërmillin, Vinçenc Prennushin, Ernest Koliqin, Kapllan Resulin, Martin Camajn dhe vazhdon edhe sot me krijues të rij letrarë.

Gjuha letrare e toskërishtes nis me Perikopenë e Ungjillit e vazhdon me Nezim Frakullën, Hasan Zyko Kamberin, Muhamet Kyçykun, Vëllezërit Frashëri,  Çajupin, Asdrenin, Faik Konicën, Fan Nolin, Lasgush Poradecin, Mid’hat Frashërin, Petro Markon, Sterjo Spassen, Kasem Trebeshinën, Dritëro Agollin, Jakov Xoxën, Ismail Kadarenë  e sot vazhdon me krijues të rij letrarë.

Gjuha letrare e arbërishtes nis me Lekë Matrëngën e vazhdon me Nikollë Filjen, Jul Varibobën, Jeronim de Radën, Françesk Santorin, Gavrill Darën të Riun, Bernard Bilotën, Zef Seremben, Vorea Ujkon, Françesk Solanon (Dushko Vetmon),  Karmel Kandrevën, Zef Skiro de Maxhion e sot vazhdon me krijues të rij letrarë.

Këto tri gjuhë letrare kanë veçoritë e tyre fonetike, morfologjike e sintaksore. Por, po ta vështrojmë si tërësi, që të tria do të duhej të përbënin tri shtyllat, tri burimet e gjuhës standarde shqipe, prej të cilave kjo gjuhë standarde do të duhej të ushqehej vazhdimisht. Vështrimin më të plotë, në një vend, për këto tri gjuhë letrare e ka dhënë Martin Camaj në Gramatikën Shqipe të tij, botu me 1982.

Në anën tjetër, në historinë e gjuhës shqipe kemi pasë dy gjuhë standarde shqipe: një gjuhë standarde të elbasanishtes, themelu nga Komisia Letrare Shqipe 1916-18, e cila ka funkcionu në Shqipërinë Administrative deri në vitin 1945, në Shqipërinë Administrative dhe Irredentiste nga viti 1941-1945 dhe ka vazhdu vetëm në Shqipërinë Irredentiste deri në vitin 1968. Veçori e kësaj periudhe ësht se vërtet toskërishtja letrare mbeti e përjashtuar nga ky standard, por nuk u ndalu. Ajo vazhdoi të përdoret në letërsinë e në shtypin e kohës.

Me 1945 ndodhi jo vetëm një përmbysje e standardit të mëparshëm të elbasanishtes, por, fatkeqsisht, edhe një ndalim i shkallëshkallshëm i gegërishtes letrare. Me 1972 u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit, ku u kurorëzu kjo përmbysje dhe bazë e gjuhës standarde shqipe u vu toskërishtja. Përdorimi i gegërishtes letrare u ndalu krejtësisht.

Me rënien e regjimit enverist, në vitet nëntëdhjetë, përdorimi i gegërishtes letrare u ringjall. Tash ka shum autorë që shkrujnë në gegërishten letrare dhe kjo ësht një gjë shum e mirë. E përmbledhur shkurt, kjo ësht një pamje e gjuhës shqipe e shpjeguar në terma të sotëm sociolinguistikë. Edhe arbëreshët vazhdojnë të kultivojnë gjuhën letrare arbëreshe.

A do të thotë kjo që mbas 1972 e deri më 1991, në Shqipni (nuk kam parasysh zhvillimet në Arbëni apo në Kosovë) na kena pasë vetëm letërsi toske, vetëm media në gjuhën letrare toske?

Përmbysja e standardit të elbasanishtes shkaktoi humbje të panevojshme energjish intelektuale që ishin investu që nga viti 1916. Sado që ende nuk ishte stabilizu sa duhet, megjithatë, ajo funkciononte dhe mund të përsosej më tutje. Edhe kur u vendos si standard thuhej qartë që merrej kjo elbasanishte “me përmirësime të nevojshme” që duhej t’i bëheshin në të ardhmen. Ajo që do të duhej me u bë, fjala vjen, kish me qenë futja e rotacizmit në standardin e elbasanishtes. Ç’ësht e vërteta, nevoja për përmirësime e plotësime ësht lënë e hapur edhe për standardin e vititi 1972. Por, disa gjuhëtarë edhe sot ngulin këmbë në paprekshmërinë dhe pandryshueshmërinë e këtij standardi. Ky ësht gabim. Nuk ka standard gjuhe që të mos ketë nevojë për përmirësime të vazhdueshme. Aq më shum nëse këto ndryshime krijojnë kushte për një konvergjencë edhe më të madhe, lehtësi edhe më të madhe për të gjithë shqiptarët, për me nxënë gjuhën standarde. Këtij qëllimi i shërben futja e paskajores së mirëfilltë në standardin e sotëm.

Le të mos harrojmë që ndryshimi i bazës së gjuhës standarde shqipe nga elbasanishtja në toskërishte ndodhi pa ndonjë konsultim paraprak. Megjithatë, kjo tashmë ësht histori. Po të kishte mbetë elbasanishtja gjuhë standarde shqipe, toskërishtja letrare do të mbetej e mënjanuar dhe pa ndikimin gjithshqiptar që ka sot. Nëse ka diçka të mirë pas përmbysjes së standardit të elbasanishtes, atëherë ësht pikërisht sigurimi i një pozite shum më të fuqishme për toskërishten në këtë periudhë. Kjo, padyshim, i ka dhënë shqipes një energji të re. Por mënjanimi i gegërishtes e ka dobësu po kaq. Nëse paskajorja e mirëfilltë gjen vend në këtë standard të shqipes besoj se ajo do të kompletohet dhe në të ardhmen nuk do të ketë mundësi që të vihen në pyetje bazat e saja, ashtu qysh ka ndodhë deri tash.

E vërteta ësht që letërsia në toskërishte lulëzoi edhe mbas vitit 1945. Në kohën që letërsia në gegërishte shkoi duke u vyshkë nga ndalimet e revistave, mbyllja e shkollave, përndjekjet, arrestimet, pushkatimet e shum intelektualëve etj. Natyrisht, shkatërrimi i tmerrshëm sistematik i Shkodrës, djepit të kulturës shqipe dhe qendrës së zhvillimit të gegërishtes letrare nga ana e regjimit enverist ësht i pafalshëm. Kjo ka shkaktu dëme të mëdha, të pakompensueshme për kulturën shqipe. Keqkuptimi i madh i kësaj periudhe ishte që gjuha letrare u identifiku me gjuhën standarde. 

“….GJUHA E SOTME SHQIPE KA VULËN E ENVER HOXHËS.” VËRTET?

Ka pasë debate për rishikim të standardit, madje dhe nji organizim në nji Këshill Ndërakademik për gjuhën, por asnji veprim konkret deri më tani. Mendoni se kjo vjen nga ngurtësia e qëndrimit të disa gjuhëtarëve, sigurisht të rritun, edukuem, që kanë studiue në kohën e komunizmit, gjuhëtarë që duhet thanë sot drejtojnë institucionet kyçe të Tiranës ku merren vendime për toskënishten?

Debati për rishikimin e standardit ka veçori të një vazhdimi të këtij keqkuptimi ndërmjet gjuhës standarde dhe gjuhëve letrare. Kjo po shkakton përplasje dhe debat shpesh të panevojshëm. Një grup gjuhëtarësh të kohës së diktaturës staliniste, kërkesën për ndryshimet e domosdoshme të gjuhës standarde shqipe, po e përjeton si rrezikim të statusit të toskërishtes. Ësht e vërtetë që toskërishtja ësht vënë në bazë të këtij standardi, por reagimi nga një grup gjuhëtarësh toskë që kjo gjuhë standarde me mbetë e paprekshme ësht i pakuptimtë. Ësht pohu tashmë edhe nga studiuesja amerikane, Janet Byroni, që dialekti jugor i shqipes u imponu nga regjimi enverist edhe për faktin që udhëheqësit politikë të shtetit shqiptar pas vitit 1945 ishin kryesisht jugorë. 

Por, në çastin që gjuha standarde shqipe ka marrë toskërishten letrare si bazë, ajo ka nisë edhe distancimin nga kjo gjuhë letrare, për me u vënë në shërbim të të gjithë shqiptarëve. Distancimi i gjuhës standarde nga toskërishtja letrare mundëson afrimin me gegërishten letrare dhe me arbërishten letrare. Vetëm kështu plotkuptimësohet funkcioni dhe statusi i saj si gjuhë standarde.  

Mendoj se pikërisht këtu qëndron keqkuptimi i 20 intelektualëve, që të gjithë toskë, përveç një mirditori enverist, të cilët iu drejtuan kryeministrit të Shqipërisë (e jo edhe të Kosovës) me një letër të hapur në vitin 2014. Në gjithë letrën ata e identifikonin gjuhën letrare toske me gjuhën standarde shqipe. Dhe ky fakt ësht shum domethënës. Megjithëse shumica e nënshkruesve të letrës janë gjuhëtarë, autorë librash për mësimin e “gjuhës standarde shqipe”, në letrën e tyre ata nuk e përmendin qoftë edhe një herë të vetme sintagmën “gjuhë standarde shqipe”. A ësht rastësi kjo? Si u bë që autorët e librave për mësimin e “gjuhës standarde shqipe” të “harrojnë” këtë fakt?  Nëpër gjithë letrën të njëzetit e letrës përmendin vetëm “gjuhën letrare”, “gjuhën e njësuar” por jo edhe “gjuhën standarde shqipe”.  

E vërteta është që asnjëri nga akademikët shqiptarë në Këshillin Ndërkademik nuk po kërkon ndryshim apo ndërhyrje në gjuhën letrare toske, për të cilën vetëdijshëm apo pavetëdijshëm i ankohen kryeministrit këta intelektualë. Në gjuhën standarde shqipe duhet të bëhen vazhdimisht ndërhyrje, përmirësime, plotësime dhe punë të ndërgjegjshme nga të gjithë gjuhëtarët shqiptarë. 

Gjuha standarde shqipe duhet me pasë një këshill të përhershëm i cili do të kujdesej për të, sepse ajo nuk ësht pronë e asnjë grupi të veçantë toskë, gegë apo arbëresh, as e Jugut, as e Veriut, as e Partisë së Punës, as e asnjë partie apo grupi të veçantë. Gjuha standarde shqipe ësht e të gjithë shqiptarëve, duke qenë se ësht projekt politik i përbashkët dhe pjesëmarrja e të gjithë ekspertëve shqiptarëve aty ësht e domosdoshme. 

Keqkuptimi ka shku aq larg sa këta gjuhëtarë të epokës staliniste me fushatën e ndërkryer kundër anëtarëve të Këshillit Ndërakademik – që të gjithë studiues, gjuhëtarë dhe profesorë të shqipes – thanë se këta po e “shkatërronin gjuhën shqipe”, se këta qenkëshin edhe “jeniçerë”! Kush e thoshte këtë? Njeriu që kishte pohu se gjuha standarde mbante “vulën e Enver Hoxhës”! Ata e qujnë të pavlefshëm dhe jokompetent këtë Këshill Ndërakademik që përbëhet nga gjuhëtarët më të mirë shqiptarë sot, ndërsa vetë marrin kompetencën që të propozojnë ndryshime pa asnjë ngurrim, duke botu edhe fjalorë drejtshkrimorë! Pra, kjo e shpjegon më mirë gjendjen e mjerë në të cilën gjendet trajtimi i gjuhës standarde shqipe sot dhe hutesa rreth asaj se çfarë ësht gjuhë standarde e çfarë ësht gjuhë letrare dhe kush ka e kush nuk ka kompetenca për ndryshime e plotësime.   

Pse ndodh kjo?

Nëse e shikoni me kujdes, të gjitha ndryshimet që janë bë në Shqipërinë Administrative kanë ardhë si rezultat i presionit nga jashtë, i përshtatjes me rrethanat e reja në mjedisin politik. Fjala vjen, reforma politike nga sistemi politik socialist në atë kapitalist, reforma ekonomike nga ekonomia e centralizuar në ekonomi të tregut të lirë, nuk quhen kthim mbrapa në sistemin në të cilin kishte qenë Shqipëria para vitit 1945, por quhen zhvillim përpara. Vetëm reformat kulturore quhen “kthim mbrapa”. Kjo vjen ngaqë ana politike dhe ekonomike kishin dhe kanë lidhje të drejtpërdrejtë me faktorin ndërkombtar dhe presioni për t’u përshtatë erdhi prej atje. Në anën kulturore ky presion duhet me ardhë nga brenda, prej vetë shqiptarëve. Asnjë plan politik enverist, asnjë plan ekonomik stalinist nuk mundet me u paraqitë sot si një plan i vlefshëm e serioz, për arsyen e thjeshtë se nuk ësht funkcional. Nëse ësht kështu, kjo do të duhej me vlejtë edhe për planet kulturore që kërkonin krijimin e “njeriut të ri”. E vërteta ësht që “njeriu i ri” u kriju në kohën e regjimit enverist, por “njeriu i ri”, të cilit, sapo iu paraqit mundësia e parë, iku prej Shqipërisë për me u bë “njeri i vjetër”.

Më duhet, pra, me u pajtu me një pjesë të pyetjes tuaj që përmban edhe përgjegjen për këtë gjendje: grupe me mendësi diktatoriale, bartës të “vulave të Enverit”, po bëhen pengesë që po i ngadalësojnë reformat edhe në fushën kulturore shqipe. Kjo dëshmohet shum mirë në atë letrën që 20 intelektualët ia drejtuan kryeministrit. Të njëzetit e letrës thonë:

“Ndërhyrjet në të [sipas tyre, “në gjuhën e njësuar letrare”] jo vetëm që nuk mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti “të diturish”, por duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike dhe të shoqërisë.”

Pra, këta bartës të “vulës” së Enver Hoxhës në letrën drejtu kryeministrit të Shqipërisë (por jo edhe të Kosovës) pohojnë:

a) “ndërhyrjet nuk mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti ‘të diturish'”,

b) “duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike”

Profesorët dhe shkencëtarët e dy Akademive Shkencore të Shqipërisë e të Kosovës quhen “një grusht “të diturish” (përgatitja e tyre shkencore vihet në pyetje dhe futet brenda thojzash), e në anën tjetër kërkohet që shqipja duhet me qenë “pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike”. Kur lexohet kjo shtrohet pyetja e logjikshme: “A janë dy Akademitë Shkencore institucione publike apo jo?” Apo më publike janë grupet që mblidhen për të nënshkru një apel kryeministrit të Shqipërisë, (por jo edhe të Kosovës)?

Intervistoi: Gilmana BUSHATI

Leave a comment