Vitet e rinisë së munguar –
kujtime të athëta
aromë bar teje
në xhepat e palltos Gub
të babës – varë në raftin
me rimeso panje, të shëmtuar.
Ujë i qelbët pusi – bakterie
plot, harruar pa ngjalë. Unë,
ti e të tjerët këndonim këngët
e së ardhmes, të harruar.
Radiostacionet e largëta na
jepnin shpresë se një ditë
do thyheshin kufijtë, do binte
bomba, do ndalej mortja –
mort ra. Xhenazet maleve: Jasu!
Kërmat e shpendët – tango.
malet mbuluar me kufoma
kufoma të rinjsh – kufoma të njoma.
– U ndamë, shpërndamë,
s’u pamë as në funerale. Na,
të bijt e shtypjes, dhimbjes, fyerjes
valltarët e vdekjes – vdekja vetë.
Ithtarët e tradhëtuar – shkrimtarët
amoralë, politikanë të deshtuar
banalë – helm. Helm na dhanë
na vdiqën fushave, maleve,
barakave, brrakave. Brrakave
e kënetave; – ditëve, netëve,
… të djelave.
Bijtë e urisë, syrin shkreptimë,
shpirtin pishë, pishë – pishtarë
netëve të huaja, netëve lastarë
varkave të mbytura fundedeteve
detrave të huaj, detit Jon.
Bijtë e braktisur, braktisnim veten
gurbet, kampe – stadiume; – hidhe!
– prite! – rracioni jot i bukës për sot;
bukën e përditshme falna Zot!
me motrat tona llogoreve – semaforëve…
Na të bijt e shekullit të vjetër,
nuk krahasohemi me asnjë tjetër
– jemi qafirë, firarë, pa gjak, pa farë.
Xhabir TABAKU
